Nderoi Apoloninë, mbrojtësi Repaj: Golat në shtesë shijojnë më shumë! Nuk ndalemi, kemi dhe 8 finale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 10, 2022 | 23:45

Nderoi Apoloninë, mbrojtësi Repaj: Golat në shtesë shijojnë më shumë! Nuk ndalemi, kemi dhe 8 finale

Serjan Repaj nderoi Apoloninë përballë Besës. Kur ndeshja po shkonte në barazim, ai shënoi dhe i dha pikët e plota. Goli në të 92-ën i bëri vërtet me zemër, por qendërmbrojtësi mendon se këto janë fitoret më të bukura.

hqdefault

Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, 21-vjeçari foli edhe për garën dhe paralajmëroi se këto 8 javë do të jenë më të ashpra.

Mundët Besën në shtesë. Sa rëndësi ka për ju kjo fitore?

Kjo fitore vlen jo vetëm për ecurinë, por edhe motivimin. Nuk mund të linim pikë në shtëpi, ndonëse ia dolëm vetëm në shtesë. E kishim vlerësuar maksimalisht Besën, duke ditur potencialin e saj. Kjo është e treta fitore radhazi, por jo e fundit. Në radhë kemi Besëlidhjen.

Ishit ju që e çuat topin në rrjetë në të 92-ën. Si u ndie Repaj pas golit?

Pati peshë të madhe. U shënua në limit dhe për më tepër gol me aromë fitoreje. Vuajtëm pak, ndaj na shijoi. Fitore të tilla na bëjnë më të fortë, plus nxjerrin në pah edhe shpirtin tonë luftarak. Më mirë fitojmë kështu duke vuajtur sesa të marrim humbje të pamerituara si në fazën e parë të kampionatit.

E disata ndeshje që Apolonia fiton vetëm në minutat e fundit. Pse?

Kjo vjen për një arsye shumë të thjeshtë, ne nuk dorëzohemi kurrë. Po tregojmë që luftojmë deri në fund për të marrë një rezultat pozitiv dhe mund të them me siguri që ky grup lojtarësh ka premisa për të ardhmen.

Secila fitore vjen falë këmbënguljes të të gjithëve duke dhënë maksimumin në fushën e lojës. Sidomos këto dy fitoret e fundit të arritura pas kohës së rregullt më kanë shijuar në maksimum, sepse jemi rikthyer fuqishëm në kampionat dhe gjendemi në një pozitë të favorshme për objektivin tonë sezonal.

Jeni në dijeni që ka ndryshuar rregulli për vendin e “play off”-it? Nëse po, sa e favorizon Apoloninë ky rregull i ri?

Nuk dua të komentoj asnjë rregull të ri sepse jam i fokusuar te ndeshja e radhës në kampionat. Luajmë edhe tetë finale, prandaj duhet të ulim kokën dhe të ruajmë përqendrimin. Gjithçka është në dorën tonë për të ruajtur një vend të favorshëm në tabelë. Kundërshtar kemi vetëm veten tonë, kështu që duhet të shtojmë dozën e punës dhe guximit.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"