“Ndërhyjmë në merkato, por vitin tjetër do jetë e vështirë”, presidenti i Besëlidhjes: Ruaj boshtin, Danaj meritonte “Këpucën e Artë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2022 | 11:55

“Ndërhyjmë në merkato, por vitin tjetër do jetë e vështirë”, presidenti i Besëlidhjes: Ruaj boshtin, Danaj meritonte “Këpucën e Artë”

Besëlidhja mbylli një sezon plot luhatje. Jo pak herë mbijetesa u vendos në diskutim, por në fund ia dolën. Ngjitja mbeti një “mirazh”, megjithatë kanë me se të krenohen. U ndërtua një ekip “bio” dhe kanë hedhur baza të forta për të ardhmen.

gjok noka

Kjo është ajo që kënaq edhe presidentin. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, Gjok Noka skanon kampionatin e fundit dhe flet për të ardhmen. Paralajmëron një garë shumëfish më të vështirë me emra si Dinamo, Skënderbeu e Flamurtari dhe ndoshta ky është shkaku që nuk dëshiron të nxitohet dhe të flasë për objektiva. Por kjo nuk e pengon që të paralajmërojë se boshtin do ta ruajë dhe do të ndërhyjë në merkato.

“Objektivi ynë kryesor për sezonin që lamë pas ishte qëndrimi në Kategorinë e Parë dhe ia dolëm. Zhvilluam një sezon të vështirë, por edhe të bukur.

U vendosën rregulla të reja në mes të sezonit dhe kjo e rriti ndjeshëm konkurrencën. Ndryshe nga e shkuara, ne vjet guxuam dhe krijuam një ekip me të rinj, kryesisht lezhjanë. Rrezikuam, por jam i kënaqur që ndërtuam një grup për perspektivën dhe mbijetuam mrekullisht.

Nuk kam ankesa për askënd, as për stafin e as futbollistët. Me punën e tyre ata përmbushën objektivin. Jam shumë i kënaqur me dy vëllezërit Danaj, Rubenin e Redonin. Ata bën supersezon dhe bashkë shënuan plot 28 gola.

Meqenëse më i vogli realizoi më shumë gola, mendoj se i takonte atij ‘Këpuca e Artë’. Tani ekipi është lënë pushim dhe do të grumbullohemi kur ta shohim të arsyeshme.

E them këtë, pasi vendimi lidhet me datën e nisjes së kampionatit. Jemi disi të paqartë për të ardhmen dhe ende nuk kemi vendosur përfundimisht se si do të organizohemi.

Gjithsesi, boshtin e kemi. Do të studiojmë ato pika ku kemi vërtet nevojë për të ndërhyrë dhe patjetër që do bëjmë merkato. Sezoni i ri do të jetë i vështirë dhe shumë cilësor, ndaj duhen marrë masat.

Një Superiore më vete, do thosha, pasi do të jenë pjesëmarrëse klube që kanë bërë historinë në futbollin shqiptar. Objektivat? Do të vendosim më vonë, kur të nisim edhe punën për sezonin 2022-2023″, përfundoi numri një i klubit lezhjan.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"