Ndalohet “blofi” ndaj Lushnjes, administratori i klubit beratas: Të tregojmë kush është Tomori!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2022 | 11:18

Ndalohet “blofi” ndaj Lushnjes, administratori i klubit beratas: Të tregojmë kush është Tomori!

Tomori nuk do “blof” në shtëpi. Nëse barazimi me Besën në transfertë kënaqi stafin, ndaj Lushnjës ndryshon historia. I presin në stadiumin e tyre dhe mbi të gjitha para publikut beratas, ndaj llogaritë bëhen vetëm me fitoren. Vështirësia dihet, pasi përballë kanë një ekip me traditë dhe jo pa shkak quhet një “derbi” ky me lushnjarët.

Tomori

E megjithatë, misioni është i qartë: likuidimi i kundërshtarit. Ky 90-minutësh do të jetë një provë force, ndonëse aspak përcaktues. Jemi vetëm në javën e dytë dhe gara është ende e gjatë. Lushnjarët janë fuqizuar krahasuar nga një sezon më parë, ndërkohë që beratasit kanë ndryshuar pothuajse 90% të organikës.

Janë bërë disa afrime që deri tani rezultojnë një “bast” i fituar. Paraditen e djeshme ekipi ka kryer seancën e fundit dhe trajnerin Klodian Arbëri nuk ka ngurruar që të japë disa këshilla. Ua ka bërë të qartë lojtarëve të tij që kjo ndeshje duhet vlerësuar si e radhës dhe në fushë duhet të shfaqin atë për të cilën kanë punuar këtë verë.

Pjesë e lushnjarëve do të jenë disa futbollistë që e njohin mirë ambientin beratas dhe ky mund të jetë edhe një “disavantazh”. Pritshmëritë janë të mëdha për këtë duel dhe kjo kuptohet nga deklarata e Ismet Ajazit. Për “Panorama Sport”, administratori ka thënë:

“Personalisht jam i kënaqur me mënyrën si është menaxhuar ekipi nga stafi teknik. Kemi pasur besim në zgjedhjen që ka bërë trajneri në ndërtimin e grupit.

Në Berat ka ardhur një frymë e re. Grupi ndoshta ende nuk është konsoliduar 100%, por harmonia dhe optimizmi i shfaqur nga lojtarët në këto kohë na jep një qetësi e cila nuk na bën gjë tjetër veçse të presim një lojë të bukur. Nesër (sot) të tregojmë se jemi në gjendje për të marrë maksimumin ndaj lushnjarëve”.

Stafi teknik duket se e ka ndarë mendjen edhe për 11-shen. Porta i takon afrikanit Klement, në mbrojtje do rreshtohen Hida-Shaqe-Kasmollari-Çaço.

Në krahët e mesfushës do të luajnë Ismaialj me Deliun, ndërsa në qendër Fejza me Dejvid. Sulmi pastaj do të ketë dyshen Solomon-Alilani.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"