“Frenojmë këdo, si ndalet Mesi”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 21, 2013 | 13:34

“Frenojmë këdo, si ndalet Mesi”

Hejnkes dhe RobenNa ndajnë vetëm 36 orë nga dueli mes dy gjigantëve të Europës, Bajernit të Mynihut dhe Barcelonës. Ditën e martë, ora 20:45, në “Alianc-Arena” do zbresin në fushë 1 miliard e 35.5 milionë euro (431.7 Bajerni; 603.8 Barça) dhe dy kampionët, përkatësisht të Gjermanisë dhe Spanjës. Në prag të megaduelit kundër Mesi & Co, të gjithë bavarezët janë të karikuar në maksimum, sidomos Arjen Roben, i cili kërkon të justifikojë gabimet e finaleve të së kaluarës. Mesfushori holandez e vlerëson në maksimum këtë ndeshje, inkurajon shokët dhe paraqet recetën se si duhet ndalur Barcelona dhe në veçanti “truri” i tyre, Lionel Mesi. “Jemi në ndjekje të një serie, së cilës do t’i qëndrojmë besnikë deri në fund. Fitoret dhe golat na kanë motivuar e forcuar së tepërmi gjatë kësaj kohe, aq sa asnjë rival nuk ka mundur të gjejë recetën e duhur për të na ndalur. Madje, mendoj se as nuk kanë për ta gjetur. Tani jemi në pritje ndoshta të ndeshjes më të bukur të vitit. Për sfida të këtij niveli ëndërron çdo profesionist. Në këtë situatë që ndodhemi, jemi në gjendje të ndëshkojmë çdo kundërshtar në botë, sigurisht edhe Barcelonën”, – nënvizoi Roben, i cili si ish-madrilen shpalos edhe recetën kundër spanjollëve dhe se si të ndalin Mesin. “E njoh mirë Barcelonën që nga koha kur luaja te Reali. Aftësitë e tyre teknike dhe taktika nuk ua mohon njeri, por mbi të gjitha kanë stil holandez. Katalanasit nuk duhen mbivlerësuar. Sigurisht që kujdesi duhet të jetë më i madh në krahasim me ndonjë rival tjetër. Çelësi i suksesit në këtë ndeshje është të luajmë në grup, ashtu siç kemi bërë deri tani. Mesi është lojtari më i mirë në botë dhe atë duhet ta çekuilibrojmë së bashku. Loja jonë ofensive dhe defensive dallon nga e tyrja, diferenca do duket në këtë përballje direkte. Ne jemi Bajerni dhe kemi marrë të gjitha masat për të evituar surprizat”, – analizoi Roben.
Përgatiti: ENIAR IBRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"