Ndalesa e kampionatit prej trazirave, “xhaxhi”: Isha si kamikaz, luanim derisa errësohej prej kallashëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 4, 2020 | 22:36

Ndalesa e kampionatit prej trazirave, “xhaxhi”: Isha si kamikaz, luanim derisa errësohej prej kallashëve

Faruk Sejdini tregon për “Panorama Sport” edhe ngjarjet e vitit ’97 në futboll. “Në vitin 1997 të them të drejtën ishte e frikshme. E frikshme në kuptimin absurd të fjalës sepse luftoheshe, por realisht askush nuk e dinte se me kë luftonte.

faruk sejdini

Ndërsa sot, është si të thuash një luftë e përgjithshme që ka një përballje me virusin. Për shembull, në Burrel apo kudo tjetër ishte thuajse njësoj. Kujtoj një herë kur po iknim për në stadium, më thanë:

‘Mos kalo këtu se është një i vrarë aty në tokë’. Pra, ishte një gjë e çuditshme, por e bërë e zakonshme për atë periudhë. Ka pasur një rast në të cilin arbitri nuk e mbaronte lojën. ‘O çun, – i thosha, – mbaroje lojën se u bë natë’. Ai më thoshte: ‘Po ku ta mbyll more ku ta mbyll?!’ Nuk dua të jap emra cili ishte.

Mirëpo, tani që i kujtoj situatat, nuk ishte për t’i vënë faj sepse që kur vinin arbitrat afër stadiumit, i prisnin 3 veta me maska dhe automatikë. Unë ngulja këmbë që të luhej futboll, ato thoshin: ‘Çfarë të bëjmë o presor, nga të ikim?’ E frikshme, por unë me atë pasionin që kisha thosha që të luhen ndeshjet. Unë e kisha sakrifikuar veten në kuptimin figurativ dhe më dukej vetja si kamikaz. Kur e mendoj sot, them me vete çfarë ta doja atë lloj futbolli”, tregon Sejdini për “Panorama Sport”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"