Ndalesa e fundit rikthen makthet te Besëlidhja, ja kujt i frikësohen lezhjanët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 23, 2019 | 18:05

Ndalesa e fundit rikthen makthet te Besëlidhja, ja kujt i frikësohen lezhjanët

Besëlidhja u ndal në Rrogozhinë nga Egnatia në një barazim pa gola, duke u larguar nga Kastrioti kryesues dhe duke e vështirësuar mjaft rrugën drejt objektivave sezonalë. 

Beselidhja Kastrioti 1-0

U ndal për herë të dytë nga skuadra rrogozhinase, që i kishte marrë pikë edhe në Lezhë. Punët kanë shkuar ters për lezhjanët ditët e fundit, pasi sikur të mos mjaftonte barazimi ndaj Egnatias, ajo ka humbur edhe 3 pikët që kishte marrë ndaj Shkumbinit, pas përjashtimit të ekipit peqinas nga Komisioni i Disiplinës. Kjo ka bërë që diferenca me kreun të thellohet ndjeshëm në 7 pikë.

Megjithatë, në radhët e Besëlidhjes nuk ka pasur nervozizëm, pasi drejtuesit e saj gjykojnë se ka kohë për të reflektuar dhe për t’i rregulluar gjërat. Trajneri Elvis Plori dhe presidenti Gjok Noka janë optimistë, siç kanë pohuar shpesh në prononcimet e tyre publike. Ata kanë bindjen se Besëlidhja që kanë formatuar për këtë sezon do të arrijë suksesin.

MAKTHET – Skuadra lezhjane në fakt po kalon fazën më të errët në historinë e saj 90- vjeçare, pasi po luan sezonin e 12-të radhazi në nivelin inferior të futbollit shqiptar.

Beselidhja-Kastrioti

Një rekord “i zi” i saj, duke pasur parasysh emrin dhe traditën që ka. Në këto 12 sezone Besëlidhja ka qenë gjithmonë një nga pretendentet kryesore për t’u ngjitur në Superiore, madje katër herë e ka ndalur vetëm fati. Dy herë ka dështuar në “play off” dhe dy herë të tjera ndeshjet direkt, pasi e ka mbyllur kampionatin me pikë të barabarta me vendin e parë.

Edhe për sezonin në vijim duket se po përsëritet e njëjta histori dhe po rikthehet makthi, por duke qenë se ende nuk është mbyllur gjysma e sezonit dhe duke parë edhe performancën në raport me rivalët, askush nuk dëshiron të mendojë negativisht. Tani nisin pushimet e dimrit dhe pastaj nis faza përgatitore, ku shpresohet në ndonjë prurje kualitative në kuadër të merkatos së janarit, siç është përfolur disa herë nga drejtuesit e klubit.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"