“Ndal Laçit e vështirë”, Bylykbashi: Partizani gabon e kryeson, besoj se shpallen sërish kampionë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2019 | 23:32

“Ndal Laçit e vështirë”, Bylykbashi: Partizani gabon e kryeson, besoj se shpallen sërish kampionë

Pas 12 javësh kampionat, Partizani qëndron i vetëm në krye dhe ka nisur rrugëtimin për mbrojtjen e titullit kampion, ndërkohë që këtë fundjavë do të ketë një përballje të vështirë ndaj ekipit të momentit, Laçit të trajnerit Armando Cungu.

dorian bylykbashi

Një kampionat i mbushur me gabime dhe me sulmuesit e kuq që hasin vështirësi për golin, analizohet për “Panorama Sport” nga ish-kapiteni i kuq, Dorian Bylykbashi. Elbasanasi pohon se qëndrimi në krye ka ardhur edhe si shkak i gabimeve të të tjerëve, ndërkohë që beson se në janar skuadra duhet të afrojë ndonjë “pykë” që t’i garantojë gola. Në fund, ka besim se të kuqtë do ta mbrojnë titullin dhe shpreh një dëshirë: derbi të luhet në “Air Albania Stadium”, i cili u inaugurua me ndeshjen Shqipëri-Francë.

Bylykbashi, Partizani në krye. E prisnit?

Sigurisht që pritej kryesimi i Partizanit, jo vetëm nga unë. Është ekipi kampion i edicionit të kaluar dhe normalisht do ishte sërish një nga pretendentët e këtij sezoni. Por, është në krye duke bërë shumë gabime rrugës.

Ku ka gabuar?

Po në disa ndeshje duhet të bënte më mirë dhe të kishte më shumë pikë sesa tani. E meriton sigurisht të jetë në krye, por kjo edhe për faktin se kanë gabuar gjithashtu edhe ekipet e tjera, jo vetëm për meritë të vetën. Ndaj, nuk duhet të jenë të qetë, por të mos gabojnë më.

bylykbashi1

A është ky një kampionat gabimesh?

Po, i tillë është. Çdo javë thuajse del një pretendente dhe gabon. Janë bërë shumë gabime, ndaj edhe janë shumë ekipe të ngjeshura për kreun dhe nuk është shkëputur askush, sepse të gjithë kanë gabuar.

Kthehemi te Partizani që ka pasur shumë përplasje gjatë këtyre javëve në ekip. Si ju duket situata?

Unë nuk e njoh gjendjen konkretisht se çfarë ndodh në klub, sepse jam i jashtëm. Por, me aq sa jam informuar, këto “grindjet” thuajse ndodhin në çdo klub, jo vetëm te Partizani. Vetëm se jo çdo gjë duhet të dalë në publik.

Këtë javë luajnë ndaj Laçit, një ekip që po kalon një formë shumë të mirë…

Do të jetë një përballje shumë e vështirë, edhe për vetë faktin se me uljen në stol të Armando Cungut, të cilin e respektoj dhe e kam mik, po tregon një tjetër fytyrë. Duket një tjetër Laç, jo se me Starovën nuk ishte, sepse ai e ka treguar me vepra cili është, por munguan rezultatet.

bylykbashi

Ju i keni shënuar shumë gola Laçit, madje në një ndeshje 5 gola. Si mund të fitojë Partizani tani?

Kanë qenë kohëra të tjera. Nuk ka qenë ky Laç, absolutisht. Skuadra atëherë ka qenë e rënë nga kategoria dhe nuk kishte synime. Përballjen e kësaj jave e shoh përballje shumë të fortë dhe ajo që gabon më pak, do e fitojë.

Sulmuesit nuk po shënojnë, çfarë çalon te të kuqtë në fazën ofensive?

Po, shifrat tregojnë se “pykat” nuk po bëjnë gola. Kjo ia vështirëson disi punën edhe skuadrës, sepse nuk mund të presë që gjithnjë golat të vijnë nga pas dhe nga lojtarë të ndryshëm. Por, edhe vitin e kaluar kur dolën kampionë nuk kishin një lojtar të tillë. Gjithsesi, kjo gjë nuk e zhbën faktin që sulmuesit nuk po shënojnë dhe janë një problem.

Mos ndoshta në janar duhet të hyjnë në merkato?

Një skuadër kampione ka nevojë për një sulmues që t’i garantojë gola dhe në janar duhet të shohin çdo mundësi për të afruar një sulmues me potencial.

Do ta mbrojë dot titullin Partizani këtë sezon?

Nuk do të jetë e lehtë, por shanset për ta mbrojtur i ka më të mëdha se skuadrat e tjera. Dihet që është gjithnjë më e vështirë ta mbash sesa ta fitosh. Por, mendoj se do ia dalin. Me investimet që ka bërë presidenti Demi, i cili e ringriti Partizanin aty ku duhet dhe ndërhyrjet që mund të bëhen në janar, kam besim se sërish do shpallen kampionë.

Patë Kombëtaren në stadiumin e ri, do preferonit që të luhej edhe derbi aty?

Sigurisht. Stadiumi për atë gjë u bë, që të zhvillohen ndeshjet. Së pari, duhet thënë një bravo për të gjithë ata që e bënë, sepse ishte diçka që i duhej vendit tonë. Sa për derbin, ku ka më mirë sesa në atë impiant, do të krijohej një atmosferë shumë e bukur.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"