“Ndaj Laçit na i mohoi fitoren arbitri”, flet Marantas: Skënderbeut mund t’i marrim pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2019 | 12:20

“Ndaj Laçit na i mohoi fitoren arbitri”, flet Marantas: Skënderbeut mund t’i marrim pikë

Luftëtari mbylli dje përgatitjet anti-Skënderbeu me seancën e paradites në fushën sportive “Lefter Millo” të fshatit Dervician. Pak orë para nisjes për në Pogradec, aty ku bluzinjtë u akomoduan në prag të transfertës me korçarët, trajneri Jorgos Marantas foli për rëndësinë e kësaj sfide dhe besimin që ka për të dalë me pikë.jorgos marantas

Fillimisht i pyetur nga “Panorama Sport” nëse kishte ndonjë peng nga takimi i fundit me Laçin, ai u shpreh: “Nuk më vjen mirë që na iku fitorja nga duart në minutën e fundit. Kjo, jo për fajin tonë, por për shkak të vendimit të arbitrit. Pësuam një gol nga arbitri (i referohet akordimit të penalltisë), por humbja na bën më të fortë dhe të gjithë bashkë duhet të mbledhim forcat për vazhdimësinë. Ne kemi për detyrë të grumbullojmë sa më shumë pikë dhe të ikim nga fundi i tabelës. Duhet të jemi sa më të përqendruar ndeshje pas ndeshjeje”.

Duke folur për kundërshtarin e radhës, trajneri grek i bluzinjve e vlerësoi maksimalisht Skënderbeun. Megjithatë, ai është i bindur se forma e skuadrës së tij do ta shpërblejë në këtë transfertë. “Me Skënderbeun është një ndeshje e vështirë dhe për këtë jemi të ndërgjegjshëm. Nga dita e parë që kam ndjekur ndeshjet e kampionatit shqiptar, mund të them se Tirana, Partizani dhe ndonjë tjetër janë skuadra cilësore. Edhe Skënderbeu është skuadër e madhe, pasi ka lojtarë shumë të mirë dhe me perspektivë. Gjatë gjithë javës kemi bërë stërvitje shumë të mirë, pavarësisht se kemi pasur ndeshje në Kupë me Turbinën”, deklaroi Marantas.

Në fund, i pyetur se sa shanse ka Luftëtari për të dalë me fitore nga një fushë si ajo e Korçës, trajneri dha një përgjigje interesante. “Ndaj Skënderbeut kemi mundësi për të marrë tri pikë, po aq sa shanse kemi edhe për një barazim”.

Ndërkohë, lidhur me formacionin me të cilin Luftëtari do t’i përgjigjet Skënderbeut, ai la të kuptohej se nuk do të bëjë ndryshime nga ndeshjet e fundit. “Së pari, dua që skuadra të ketë qëndrueshmëri, pra të ecë me ritmin e ndeshjeve të fundit në kampionat. Ndryshimet e shumta në formacion nuk na ndihmojnë për rezultate pozitive”, përfundoi Marantas, i cili në tri ndeshje që ka drejtuar deri më tani Luftëtarin në kampionat, ka marrë një fitore kundër Flamurtarit, si dhe dy barazime radhazi, pikërisht ndaj Vllaznisë dhe Laçit. Gjithashtu, me grekun në krye Luftëtari është kualifikuar në Kupë.

T.Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"