“Ndaj Kukësit, e rëndësishme”, Memelli: Skënderbeu do t’i shkojë Kupës deri në fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2021 | 10:51

“Ndaj Kukësit, e rëndësishme”, Memelli: Skënderbeu do t’i shkojë Kupës deri në fund

Korçarët, që vijnë nga një takim shumë i rëndësishëm i fituar në transfertë ndaj Apolonisë, është e domosdoshme vijimësia e rezultateve pozitive, ndërsa edhe një pikë nuk do të ishte keq në garën e ethshme për mbijetesë. Është pjesërisht dakord me këtë mendim edhe trajneri pogradecar i Skënderbeut, Migen Memelli, i cili në një prononcim për “Panorama Sport”, ka theksuar se për skuadrën e tij është e rëndësishme që të mos bëjë hap fals.

mEMELLI

“Ndeshja ndaj Kukësit është shumë e rëndësishme, pasi ne duam të arrijmë qëndrimin mes më të mirëve në këtë sezon. Sigurisht, që duke qenë ndeshja e radhës për ne, merr një tjetër rëndësi, pasi çdo takim ka të veçantat dhe specifikat e tij. Jemi duke u përgatitur dhe do të mundohemi të bëjmë më të mirën në këtë takim. Normalisht, pikët për ne janë të rëndësishme në këtë moment dhe duhet të bëjmë gjithçka mirë në ndeshjet e mbetura. Por, më shumë sesa të mendoj që edhe një pikë do të jetë mirë ndaj Kukësit, jam duke shpresuar që të kem një ekip të plotë në dispozicion për këtë ndeshje”, theksoi fillimisht Memelli në bisedën për gazetën. Në 11 javë të mbetura nga kampionati, Skënderbeu duhet të rikuperojë minimalisht gjashtë pikët e distancës nga Bylisi i vendit të 8-të në klasifikim.

“Ky kampionat është i vështirë dhe çdo gjë duhet të shihet me kujdes dhe hap pas hapi. Është luftë çdo ndeshje për ne, pasi edhe jeta në vetvete është një luftë që në mëngjes e derisa flemë, çdo ditë. Prandaj, mund të them se duhet të shohim javë pas jave dhe të analizojmë në fund të çdo jave se çfarë kemi bërë mirë dhe çfarë jo. Pra, ku kemi gabuar që të rikuperojmë dhe të përmirësohemi. Nuk dua të shoh përtej takimit me Kukësin”, deklaroi trajneri i Skënderbeut. Ndërkohë, skuadra korçare ka mësuar rivalin për turin gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë, teksa më 14 prill do të luajë kundër Teutës në Durrës. “Të katërta ekipet janë me meritë në gjysmëfinale.

Ato që ne mund të përballeshim kryesojnë renditjen, prandaj me cilindo prej tyre do të ishte e vështirë. Shorti na rezervoi Teutën në transfertë dhe ne do t’ia bëjmë hyzmetin deri në fund këtij kompeticioni. Megjithatë, nuk dua të flas tani për objektiva apo pritshmëri”, përfundoi trajneri.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"