“Ndaj Kastriotit për fitore, në Korçë ka interesim të madh për futbollin”, Ahmataj: Mungesat problem te Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2020 | 13:09

“Ndaj Kastriotit për fitore, në Korçë ka interesim të madh për futbollin”, Ahmataj: Mungesat problem te Skënderbeu

Skënderbeu do të luajë sot në Korçë përballë Kastri otit. Pas fitores me Bylisin, korçarët kërkojnë të marrin pikët e para në shtëpinë e tyre. Përballë do të kenë një kundërshtar që ende nuk e ka provuar humbjen në kampionat. Por, në daljen para mediave trajneri Julian Ahmataj pohoi se për këtë takim e shqetësojnë dëmtimet e lojtarëve.

Ahmataj

Është parë që jashtë fushe Skënderbeu luan më mirë, pse ndodh kjo?

Konstatim i vërtetë, por problemi nuk është te mënyra e të luajturit jashtë apo brenda. Mund të them se bëhet fjalë për dy manovra. Manovra defensive dhe ajo ofensive. Dihet që manovra defensive është më e thjeshtë për t’u asimiluar nga lojtarët, ndërsa tjetra do kohën e saj.

Me këtë do të thoni se në Korçë kundërshtarët mbyllen mbrapa?

Jo se vijnë për të mbyllur ekipin mbrapa me qëllim që të mbrojnë rezultatin fillestar dhe të përpiqen të mos shënojmë, por vijnë për të marrë atë çka ne mund t’u japim atyre duke përfituar nga gabimet tona.

Kastrioti vjen në Korçë pa asnjë humbje. Mendoni se do të jetë pikërisht Skënderbeu ekipi që do t’i shkaktojë disfatën e parë?

Mendojmë që çdo gjë t’ia lëmë fushës për të treguar nëse do të jemi ne ata që do t’i shkaktojmë humbjen e parë Kastriotit. Ne do të hyjmë edhe në këtë ndeshje si në sfidat e tjera për të bërë maksimumin e mundshëm dhe për të kërkuar gjithmonë fitoren.

Me aq sa e keni parë kundërshtarin, si ju duket Kastrioti?

Kur ndeshjet janë kaq shumë të ngjeshura me njëra-tjetrën, nuk ke kohën e duhur për të studiuar kundërshtarin. Për ta përgatitur një ndeshje dhe për t’ia përkthyer në udhëzime skuadrës është e vështirë në kaq pak kohë. Gjithsesi, e dimë që kemi përballë një skuadër shumë të vështirë, shumë të fortë dhe me lojtarë cilësorë të cilët kanë shumë vite që luajnë në kampionatin tonë. Plus kësaj kanë edhe disa lojtarë të huaj cilësorë dhe për më tepër luajnë një futboll të fortë.

Psikologjia e ekipit është e lartë pas fitores në Ballsh?

Kjo është ajo që ndihet nga pjesa e jashtme e klubit. Skuadra edhe para ndeshjes me Bylisin ka qenë me moral të lartë, pasi nuk mund të zhgënjeheshim pas një humbjeje.

Ahmataj Skenderbeu

A është detyrim fitorja ndaj krutanëve në Korçë?

Ne kemi për detyrim që të japim maksimumin në fushën e lojës edhe për ata që e ndiejnë futbollin në Korçë. Këtu ka një interesim të madh nga komuniteti futbolldashës. Për këtë, ne do të bëjmë që sportdashësit korçarë të ndihen krenarë për ekipin që kanë.

Ka diçka që ju shqetëson para kësaj ndeshjeje?

Jam shumë i shqetësuar nga problemet shëndetësore të skuadrës, pasi kemi probleme me disa futbollistë, që me shumë mundësi do të mungojnë në ndeshjen e radhës. Listës së mungesave iu bashkua edhe Meksi, i cili ka pasur shqetësim mëngjesin e sotëm (djeshëm) dhe nuk do të zhvillojë stërvitjen e fundit me ekipin.

Cilët janë lojtarët që mungojnë ndaj Kastriotit?

Janë shumë tashmë, duke filluar me Shalën e më pas me Dujardin dhe Randin. Taipi nuk është bashkuar me grupin dhe për pasojë do të jetë mungesë e sigurt. Më pas kemi probleme me Marën, që nuk është ende në maksimumin e vet, Meksin që do ta presim deri në momentin e fundit.

Me gjithë këto mungesa, do të jetë e vështirë të ndërtoni formacionin?

Kur ke kaq shumë mungesa, formacioni është më i thjeshtë për t’u ndërtuar, por humbet në cilësi. Lojtarët që kemi, janë të talentuar dhe presin momentin për të dhënë maksimumin në fushën e lojës.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"