“Ndaj Erzenit marrim triumfin e parë”, Lorenco Vila: Derbi nuk luhet, por fitohet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 2, 2022 | 23:42

“Ndaj Erzenit marrim triumfin e parë”, Lorenco Vila: Derbi nuk luhet, por fitohet

Lorenco Vila mendon se një fitore në derbi do t’i japë Teutës një bonus të madh psikologjik për të nisur një seri rezultatesh pozitive dhe për të lënë pas startin jo të mirë, për të nisur ngjitjen në tabelën e klasifikimit. Ndryshe nga ndeshjet e tjera, këtë herë Teuta zbret në fushë si favorite, por Vila nuk e sheh kështu.

LORENCO VILA 1

Në një intervistë për “Panorama Sport”, sulmuesi tregon se derbi ka brenda çdo rezultat, por është i sigurt kur shprehet se ky do të jetë një takim fantastik.

A e keni analizuar barazimin me Bylisin?

Sigurisht që kemi analizuar anët negative në takimin me Bylisin. Tashmë përballë do të kemi Erzenin dhe duhet të bëjmë maksimumin që të kalojmë me sukses këtë sfidë.

A është Teuta favorite në këtë derbi?

Mendoj që në ndeshjet derbi, nuk ka skuadra favorite. Duhet të përgatitemi sa më mirë për ta përballuar këtë sfidë dhe për të marrë rezultatin e dëshiruar.

Jemi në vigjilje të derbit, çfarë ndeshjeje prisni?

Pres një ndeshje të ngjashme me derbit, të gjithë derbit janë të veçantë. Kështu do të jetë edhe ai i së shtunës. Do të përballemi me një skuadër shumë të mirë dhe do të kërkojmë ta përgatisim në mënyrën më të mirë të mundshme.

I trembeni një humbjeje në derbi, që kthehet në Superiore pas 19 vitesh?

Sigurisht që nuk i druhem aspak. Mendoj se kjo është një ndeshje që duhet ta luajmë nga ana psikologjike, për mua është e rëndësishme të japim maksimumin. Në ndeshje futbolli ka çdo rezultat brenda.

Është një ndeshje që shkon përtej rezultatit? A mund të ndihmojë kjo ndeshje edhe për ato të radhës?

Duhet të luajmë çdo ndeshje për të fituar ne. Fitorja do të sillte shumë aspekte pozitive, ashtu si entuziazmi, por kjo gjë duhet fituar në fushën e lojës. Në të njëjtën kohë nuk duhet të relaksohemi, por duhet të jemi të zotët për t’i përballuar këto situata.

Jeni dakord me shprehjen se derbi nuk luhet, por fitohet?

Unë sigurisht e besoj, për sa i përket frazës që ju cituat, kjo është një ndeshje që duhet të fitohet, duke ditur interesimin e madh që ka. Për të fituar, duhet dhënë maksimumi.

Keni një thirrje për tifozët e Teutës?

Do të luajmë në stadiumin tonë. Është një ndeshje që do të ofrojë spektakël dhe duhet të argëtohen të gjithë. I ftoj tifozët e Teutës të jenë sa më të shumtë në stadium që të na mbështesin.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"