“Ndaj Bylisit vendoset sezoni”, zbulimi i korçarëve ëndërron ta mbyllë me trofe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2020 | 21:34

“Ndaj Bylisit vendoset sezoni”, zbulimi i korçarëve ëndërron ta mbyllë me trofe

Barazimi kundër Laçit ka qenë frenim pas gjashtë fitoreve në seri në kampionat për Skënderbeun. Megjithatë, nuk është një rezultat me të cilin korçarët duhet të jenë të pakënaqur. I këtij mendimi është mbrojtësi bardhekuq, Jorgo Meksi, i cili e quan një pikë me vlera këtë barazim që e mban Skënderbeun në vendin e tretë.

jorgo meksi

Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, një nga zbulimet e këtij sezoni te korçarët tregon objektivin dhe ndeshjen e zhvilluar së fundi. “Vinim nga një seri pozitive rezultatesh pozitive dhe të them të drejtën kjo ishte më e rëndësishme edhe pas rikthimit. Mbajtëm një ritëm të lartë dhe treguam se pavarësisht kohës, ishim gati dhe mund të bënim mirë. Por, u frenuam ndoshta në momentin më të rëndësishëm tonin, atëherë kur duhet të kishim kërkuar shkëputjen. Gjithsesi, për të gjithë që e bëjnë dramë barazimin me Laçin, unë jam i mendimit se nuk ka qenë kështu.

Ishte një pikë e rëndësishme për të mbajtur pozicionin e vendit të tretë në renditje. Kundërshtari ishte i motivuar dhe kërkonte të luante gjithçka për gjithçka, pasi nuk kishte për të humbur gjë. Ata luanin finalen e sezonit me ne dhe prandaj ndeshja u bë delikate. Por, gjithsesi, jam i kënaqur, pasi të gjithë treguam forcë karakteri në atë takim, duke reaguar dhe e kërkuar me ngulm pikën deri në fund. Na mungon një penallti që do t’i kishte dhënë lojës tjetër ritëm”, theksoi fillimisht Meksi.

DOPIOSFIDAT – Më pas mbrojtësi u ndal për të analizuar edhe dy takimet e radhës, fillimisht nesër ndaj Bylisit për kampionat në Ballsh e më pas po ndaj kësaj skuadre, por në Korçë më 24 qershor për çerekfinalen e Kupës. “Kemi dy ndeshje të vështira me Bylisin dhe duhet të jemi të përqendruar.

skenderbeu-bylis (1)

Le të fokusohemi te kampionati fillimisht, pasi kjo është ndeshja e radhës. Do të bëjmë më të mirën për të marrë tri pikët, me qëllim që të mbajmë vendin e tretë dhe të jemi të qetë për presionin që vjen nga kundërshtarët. Më pas, ndeshja e Kupës është tjetër histori. Duhet të përmbysim gjithçka me çdo kusht, pasi Kupa është një objektiv për ne dhe është një trofe që duam ta fitojmë”, theksoi 25- vjeçari i Skënderbeut.

E ARDHMJA – Në fund mbrojtësi i djathtë u ndal tek aventura e parë në Shqipëri me Skënderbeun, teksa vinte pas një karrierë të nisur në Greqi, ku arriti të luante edhe me Panioniosin.

Ai premton se do të qëndrojë gjatë në Korçë. “Të them të drejtën, kur erdha këtu isha i panjohur dhe nuk e kisha menduar që do të kisha një harmonizim të tillë me ekipin dhe qytetin, pavarësisht se është vendi i origjinës. Por, shkoi shumë mirë dhe jam i lumtur në Korçë. Nga ana tjetër, unë kam një kontratë me Skënderbeun dhe besoj se do të jetë një aventurë e gjatë”, përfundoi lojtari i lindur në Athinë.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"