“Ndaj Burrelit duheshin 21 minuta shtesë”, rrëfehet Klodian Duro: Ky grup është unik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2022 | 22:49

“Ndaj Burrelit duheshin 21 minuta shtesë”, rrëfehet Klodian Duro: Ky grup është unik

Klodian Duro “zbërthen” Lushnjën. Pasi janë luajtur 4 ndeshje në total, trajneri ka një panoramë më të qartë për grupin që zotëron. Do të kishte dashur të tjera rezultate, e megjithatë vlerëson lojën.

Duro Klodian

Pa frikë e thotë që ka një grup unik, i cili e ka bindur që mund të ndryshojnë gjërat te verdhejeshilët. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai analizon edhe fitoren përballë Tërbunit në Kupë, ndërsa jep një koment edhe për ndeshjen aq shumë të përfolur me Burrelin.

Një ndeshje e dominuar dhe një rezultat i pastër. Si e analizoni?

Bëmë atë që duhet të bënim. Ishte ndeshja e parë e Kupës dhe kishte rëndësi, që të mos pësonim gol. Kënaqësia ishte se morëm një rezultat të pastër pozitiv që në pjesën e parë. Në të dytën i menaxhuam mirë situatat. Brenda kësaj loje kemi menduar për derbin e së shtunës me Apoloninë.

Ju ka bindur loja e këtij fillim sezoni?

Kemi bërë lojën tonë dhe kemi dominuar ndaj kundërshtarit në të tria ndeshjet e para të kampionatit, por sigurisht që e mira nuk ka fund. Edhe ne do të donim rezultatin maksimal…

Çfarë prisni nga ky grup?

Jemi një ekip i ri, i ndërtuar në emergjencë e sipër. Tani duhet të lidhemi më mirë me njëri-tjetrin dhe të tregojmë fytyrën tonë të vërtetë në fushë. Brenda lojës ne kemi dominuar, kemi kaluar gjithmonë në avantazh. Edhe në ndeshjen e fundit me Burrelin kishim 2-3 mundësi që në fillim.

Po e them këtu. Unë kam respekt për të gjithë kundërshtarët. I respektojmë në maksimum, por shohim punën tonë. Edhe kundërshtarët apo më mirë trajnerët e ekipeve kundërshtare, duhet të shohin më mirë ekipet e tyre. T’i stërvitin më mirë, të rrinë më mirë në fushë, si fizikisht edhe taktikisht.

Pse e thoni këtë?

Nuk është futboll të rrish shtrirë në fushën e lojës, siç bëri Burreli nga minuta e 15-të deri në minutën e 105-të. Realisht jo 11 minuta, por duhej të ishin 21. Për vetë mënyrën se si shkoi. Ne besuam deri në fund dhe arritëm të shënonim golin me Dacin.

Çfarë kërkoni ju nga Lushnja?

E gjitha ajo që unë kërkoj është që ekipi krijohet me një logjikë. Eksperienca ndihmon të rinjtë dhe këta shtyjnë përpara pjesën tjetër. Unë nuk e di apo nuk e mendoj që dikush tjetër përpara meje e ka bërë këtë në Lushnjë, të marrë guximin dhe të aktivizojë 18-vjeçarët edhe atëherë kur rezultati nuk është në favorin tonë.

Kështu ndodhi me Besëlidhjen. Rezultati ishte 2-2 dhe u aktivizua Arapi. Në fund fituam. Kjo është rruga më e saktë për të rritur fidanishten e futbollit lushnjar dhe për të futur shpirtin e futbollit në Lushnjë. Unë do të vazhdoj ta bëj këtë pa frikë. Edhe sot (dje) aktivizuam, fituam. Kjo u jep besim të rinjve që të punojmë akoma më fort dhe të japin kontributin e tyre për ekipin e parë.

Të shtunën luani me Apoloninë. Gati për derbin e Myzeqesë.

Nga tani do të mendojmë për të. Pikë së pari do të punojmë fort për të rikuperuar në kohë rekord. Sepse lodhja bën të veten, por ndryshimi i fushave nga sintetike në ato me bar rëndojnë këmbët e futbollistëve. Kemi dy-tri probleme të vogla rikuperimesh, si Canka, Pepa apo Meta. I ruajtëm në ndeshjen e Kupës. Për këtë jam dyfish i kënaqur. E gjithë pjesa tjetër tregoi që jemi një grup unik, i bashkuar. Zbatojmë detyrat në perfeksion.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"