“Ndaj bardhebluve nuk kemi çfarë të humbasim”, Plori kërcënon Tiranën: Tentojmë mrekullinë numër dy
Besëlidhja udhëton sot drejt Tiranës për t’u ndeshur me bardheblutë në “Selman Stërmasi”, sfidë e vlefshme për ndeshjen e parë të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë. Besëlidhja u ngjit në çerekfinale pasi në një të gjashtëmbëdhjetat eliminoi Partizanin me shifrat e përgjithshme 4-3 (3-0 dhe 1-3). Në prag të kësaj supersfide, trajneri i Besëlidhjes, Elvis Plori, dha një deklaratë për “Panorama Sport”.
“Kjo është ndeshja e parë pas tre muajsh pushimi për shkak të pandemisë, por shpresojmë se do të paraqitemi mirë. Jam optimist, pasi skuadra ka mobilizim. Lojtarët janë të përgatitur edhe në aspektin psikologjik dhe për këtë jam mjaft i qetë, pasi s’kemi çfarë humbasim në këtë aspekt. Normalisht që lojtarët janë entuziastë dhe shpresoj në një paraqitje shumë të mirë përballë Tiranës. Sa u përket objektivave tanë, ne jemi të përqendruar në kampionat, por ngjitja deri këtu, duke eliminuar Partizanin, na bën optimistë.
Pse të mos e provojmë… gjithçka është e hapur. Kjo ndeshje do të na ndihmojë shumë edhe për vijimin me sukses të kampionatit, pasi është një test real për formacionin që do të ndërtoj. Kemi dy ndeshje të rëndësishme pas kësaj, ndaj Erzenit dhe supersfidën decizive ndaj Kastriotit në transfertë që është edhe përballja që pak a shumë konfiguron edhe grupin tonë të ‘play off’-it. Shpresoj që në ndeshjen ndaj Tiranës të mos kemi ndonjë dëmtim.
Kjo do të na ndihmonte shumë. Kam shumë shpresë që ndaj Tiranës do të zhvillohet një ndeshje me të vërtetë Superioreje dhe ‘Fair Play’. Gati të gjithë futbollistët i kam në dispozicion dhe në gjendje shumë të mirë nga të gjitha aspektet, ndaj nuk na mbetet gjë tjetër veç të zbatojmë në fushë ato që kemi zhvilluar në stërvitje”, deklaroi trajneri i Besëlidhjes, Elvis Plori.
Preng Gjikola – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"