“Ndaj Apolonisë luajmë vetëm për 3 pikë”, Mensah “kërcënon” fierakët: Skënderbeu e ka si finale, tregojmë forcën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 20, 2021 | 21:28

“Ndaj Apolonisë luajmë vetëm për 3 pikë”, Mensah “kërcënon” fierakët: Skënderbeu e ka si finale, tregojmë forcën

Ndeshja ndaj Apolonisë konsiderohet si finalja e sezonit, për të mos thënë ndeshja kyçe e Skënderbeut. Në këtë takim korçarët vijnë me një motivim shtesë pas kualifikimit në Kupë përballë Dinamos.

alfred mensah

Kjo pritet që të ndikojë shumë te korçarët, të cilët do të tentojnë të japin maksimumin në këtë takim. I këtij mendimi është sulmuesi kryesor i Skënderbeut, Alfred Mensah. Për ganezin kjo ndeshje vlen sa i gjithë sezoni dhe është i bindur se në Fier do të shkojnë vetëm për fitore.

Skënderbeu kualifikohet në Kupë, a është edhe ky një objektiv sezonal?

Sigurisht që po, përderisa kemi arritur deri në këtë fazë të Kupës, ku jemi vetëm një ndeshje larg finales. Ndaj mund të themi se edhe Kupa është një nga objektivat tanë sezonalë. Por, kryesor është qëndrimi në elitë. Gjithsesi, edhe Kupa nuk duhet neglizhuar, pasi është një kompeticion rëndësishëm që të jep mundësinë e përfaqësimit në Europë. Çka do të thotë edhe një tjetër vit i shlyer nga ana e Skënderbeut.

Kampionati ju sheh në pozicion jo komod. Mos ndoshta këtu duhet të përqendroheni më shumë si ekip?

Nëse i referohemi renditjes, jemi në një situatë të vështirë. Kemi nevojë që të kthehemi urgjentisht te rezultatet pozitive. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të rikuperojmë pikët e lëna gjatë rrugës dhe të synojmë ngjitjen në një pozicion të qetë në renditje, që mund të na shkojë përshtat dhe të na mbajë larg etheve të rënies nga kategoria.

Ndeshja ndaj Apolonisë, a vlen sa i gjithë sezoni?

Pa dyshim që është një finale. Apolonia është rivali ynë dhe këtu do të tregojë forcën e vërtetë të Skënderbeut. Është një takim që ne i kemi kushtuar vëmendjen maksimale dhe të gjithë së bashku, me trajnerin dhe stafin, kemi punuar me detaje.

Kemi studiuar kundërshtarin, ndaj besoj dhe shpresoj shumë që do të dalim nga kjo transfertë me tri pikë. Një gjë e tillë do të shtonte optimizmin e skuadrës dhe shanset për mbijetesë. Ne do të luajmë në Fier vetëm për tri pikët.

Besoni se mund të arrini mbijetesën në këtë sezon?

Ne jemi Skënderbeu dhe kurrë nuk dorëzohemi. Për sa kohë matematika na lejon të shpresojmë do të bëjmë gjithçka për t’ia dalë. Nuk na takon një pozicion i tillë. Do të ishte mëkat dhe turp për ne nëse do të hynim në histori si grupi që rrëzoi Skënderbeun. Jemi në garë me Bylisin dhe Apoloninë dhe them se në fund do të jemi më lart se ata.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"