NBA “PLAY OFF”/ Lejkërsat bien në Feniks, Bruklin eliminon Bostonin
NBA luajti dje tri takimet e radhës për raundin e parë të “play off”-it. Pa Antoni Devisin të dëmtuar, Lejkërsat tashmë rrezikojnë seriozisht të eliminohen.
Në sfidën e pestë, kampionët në fuqi u shkatërruan nga Feniksi në shifrat 115-85, me “Suns” që tashmë kanë marrë epërsinë 3-2 të fitoreve. Feniks e nisi ndeshjen furishëm, duke dominuar totalisht në pjesën e parë, të cilën e fitoi me 30 pikë diferencë, për ta kontrolluar më pas deri në fund të gjithë ndeshjen.
Për t’u veçuar ishte rezultati parcial 32-10, që i preu gjunjët kundërshtarit. Lojtari me deciziv në suksesin e “Suns” ishte Devin Buker, autor i 30 pikëve, 7 rikuperimeve në tabelë dhe 5 asisteve. Ndërsa Kris Pol u detyrua ta braktiste ndeshjen në periodën e tretë, pas një dëmtimi në shpatull. Në radhët e Lejkërsave, LeBron Xhejms realizoi 24 pikë, por që ishin shumë pak për t’ia ndryshuar rrjedhën ndeshjes.
Pas Milluokit, Bruklin bëhet skuadra e dytë që siguron kualifikimin për në raundin tjetër, teksa në gjysmëfinalet e Lindjes do të kemi supersfidën “Nets”-“Bucks”. Bruklin fitoi 123-109 ndaj Bostonit, për t’i mbyllur llogaritë në 4-1. Spikati paraqitja fantastike e Xhejms Hardenit, i cili regjistroi tripletë dyshifrore, duke koleksionuar 34 pikë, 10 rikuperime në tabelë dhe 10 asiste.
Gjithashtu, shkëlqyen edhe Irving e Durant, të cilët shënuan respektivisht 25 dhe 24 pikë. Bostoni vuajti mungesat e Kemba Uollkerit, Robert Uilliamsit dhe Xhailen Braunit, ndërsa lojtari më i mirë për ta ishte Tatum, autor i 32 pikëve. Takimi më spektakolar i ditës së djeshme ishte përballja Denver-Portland. Një maratonë e vërtetë, ku për të përcaktuar fituesin u nevojitën dy kohë shtesë.
Në fund ishin “Nugetts” ata që festuan, teksa triumfuan me rezultatin 147-140, për të marrë kryesimin 3-2 me ndeshje. Denver zhvilloi një lojë të mirë në grup, ndërsa spikati Nikola Jokiç me 38 pikë, 11 rikuperime në tabelë dhe 9 asiste. Për “Blazers” nuk mjaftoi paraqitja fenomenale e Damian Lilardit, protagonist me 55 pikë dhe 10 asiste.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"