NBA/ Boston super në Lindje, Milluoki thyen Dallasin (REZULTATET)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2022 | 14:31

NBA/ Boston super në Lindje, Milluoki thyen Dallasin (REZULTATET)

NBA-ja ka zhvilluar pesë ndeshjet e radhës të vlefshme për sezonin. Bostoni vijon dominimin në Lindje, teksa “Celtics” kaluan edhe Uashingtonin me rezultatin 130-121, duke i konsoliduar edhe më shumë pozitat në vendin e parë.

usa_today_17664848.0

Pas tyre qëndron Milluoki, teksa “Bucks” të udhëhequr nga Janis Antetokounmpo triumfuan ndaj Dallasit të Luka Donçiç. Nuk fal as Filadelfia, që këtë herë siguroi një sukses në transfertë ndaj Orlandos. Fitore jashtë fushe edhe për Klivland në Detroit dhe Memfis në Nju Jork.

BOSTON-UASHNINGTON 130-121 – “Celtics” po kalojnë një moment të shkëlqyer dhe këtë e dëshmuan edhe në takimin e fundit ndaj “Wizards”. Një ndeshje në të cilën Bostoni u shfaq dominues gjatë të gjithë kohës, duke komanduar që prej fillimit e deri në fund, për të dalë me një sukses me +11 pikë diferencë. Protagonisti kryesor në fitoren e Bostonit ishte Brown, autor i 36 pikëve, 5 ribaundeve dhe 2 asisteve. Për Uashingtonin nuk shërbyen 30 pikët e Beal.

DETROIT-KLIVLAND 94-102 – Mitchell dhe Mobley udhëhoqën Klivlandin në suksesin jashtë fushe ndaj Detroit. I pari regjistroi 32 pikë, ndërsa i dyti 20 pikë duke i shtuar edhe 12 ribaunde. “Pistons”, të cilët në fillim e panë veten deri në +12 pikë avantazh, për të kryesuar më pas thuajse gjatë të gjithë ndeshjes, u përmbysën në fund, me miqtë që shpërthyen me një rezultat parcial 4-12, duke e ndërtuar aty suksesin.

NJU JORK-MEMFIS 123-127 – “Knicks” pësuan humbjen e katërt në pesë ndeshjet e fundit, ndërsa “Grizzlies” falë këtij triumfi ngjiten në zonën e lartë të klasifikimit në Perëndim. Gjithsesi takimi ishte shumë i luftuar dhe u vendos vetëm në çastet e fundit, pasi rezultati shënonte në barazim 122-122. Nju Jorku realizoi vetëm 1 pikë, kundrejt 5 të Memfis, me këta ta fundit që dolën fitimtarë, duke u mbështetur të një super Morant, autor i 27 pikëve, 10 ribaundeve dhe 14 asisteve. Për Nju Jorkun nuk mjaftuan 30 pikët e Branson.

ORLANDO-FILADELFIA 103-133 – Ndonëse paraqitej sërish pa Embiid, Filadelfia realizoi një ndeshje fantastike, duke dalë me një fitore të thellë kundër Orlandos. Milton me 29 pikë, Harris me 25 dhe House me 19 ishin protagonistët kryesorë në triumfin e “Sixers”. Për “Magic” shënuesi më i mirë ishte italiani Bachero. Miqtë e bënë diferencën në periodën e dytë, falë një parciali 7-27, ndërsa vendësit nuk mundën që të reagonin. Ky ishte suksesi i tretë në katër takimet e fundit për Filadelfian, ndërsa Orlando duket në një krizë të thellë me katër humbje radhazi.

MILLUOKI-DALLAS 124-115 – Janis Antetokounmpo eklipson sllovenin Donçiç, duke fituar sfidën brenda sfidës në përballjen mes “Bucks” dhe “Mavericks”. 30 pikë dhe 11 ribaunde për grekun ndaj 27 pikëve dhe 12 asisteve të sllovenit në një ndeshje ku Milluoki ishte në avantazh gjatë të gjithë kohës, madje duke shkuar deri në +19 pikë.

RE (1)

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"