Nazmi Gripshi për rekord, ja 3 lojtarët që Daja u beson më shumë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 13, 2020 | 22:22

Nazmi Gripshi për rekord, ja 3 lojtarët që Daja u beson më shumë

Bylisi prishi ecurinë fantastike të Skënderbeut në ndeshjen e së enjtes në Ballsh, të vlefshme për turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë. Skuadra e Ilir Dajës nuk e dinte se çfarë do të thoshte humbje mes kampionatit dhe Kupës që prej datës 3 shkurt, kur ishte thyer 1-0 mes polemikave në Laç.

Skenderbeu tropikal

Që prej atij takimi, në të cilin vendosi një gol i Redon Xhixhës, korçarët nisën një ecuri pozitive me 7 fitore radhazi (6 në kampionat dhe 1 në Kupë) dhe një barazim ndaj Tiranës në “Air Albania”.

Bardhekuqtë u ndalën pikërisht në një ndeshje kupe pas plot 4 muajsh, qoftë para se të ndërpritej kampionati, ashtu edhe tashmë që u luajtën dy javë pas rifillimit. Megjithatë, 1-0 në Ballsh e lë të hapur kualifikimin, teksa gjithçka do të vendoset në ndeshjen e kthimit në Korçë më 24 qershor.

STATISTIKAT

Pas 28 javësh kampionat, trajneri Daja rezulton të ketë përdorur 24 lojtarë. Mirëpo, ai që është aktivizuar më shumë se të gjithë sa i përket numrit të ndeshjeve dhe minutave në fushë është mesfushori me tipare sulmuese, Nazmi Gripshi. Durrsaku ka qenë titullar në të 28-ta ndeshjet e deritanishme në Superiore të këtij sezoni dhe në total ka 2499 minuta të luajtura.

Gripshi 10

Edhe portieri Enea Koliçi, si dhe fantazisti Dejvi Bregu, gjithashtu kanë qenë pjesë e 28 ndeshjeve, por kanë më pak minuta në krahasim me Gripshin. Koliçi ka 2497 minuta në fushë, teksa është zëvendësuar në ndeshjen SkënderbeuLuftëtari 2-0, ndërsa vlonjati ka 2464 minuta.

Te futbollistët që kanë luajtur më tepër deri më tani futen edhe Jorgo Meksi, Bruno Dita (nga 26 ndeshje) dhe Artim Pollozhani (25). Ndërkohë, interesant është fakti se që prej rikthimit në fushë të Bajram Jashanicës, pikërisht në ndeshjen Vllaznia-Skënderbeu 0-1 (29 shkurt), korçarët nuk humbin asnjë takim. Në disfatën ndaj Bylisit kosovari nuk ishte në fushë, pasi u la pushim nga Daja. Rrotacioni i detyruar përkoi me humbje pas 4 muajsh.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"