Napoli ruan kreun, tifozët ironi therëse me Juven: Në merkato të blejmë arbitrat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2018 | 18:30

Napoli ruan kreun, tifozët ironi therëse me Juven: Në merkato të blejmë arbitrat

Një dopio derbi brenda 90 minutash, jo vetëm Benevento kundër Napolit, sfidë e fituar nga të kaltrit 2-0, por edhe një derbi shqiptar, ku Elseid Hysaj sfidoi dhe mposhti shokët e tij të përfaqë- sueses, Berat Gjimshitin dhe Ledian Memushajt, që të tre në fushën e lojës, ndonëse jo të tre përgjatë të gjithë lojës. Ashtu siç pritej, takimin mes dy anëve të tabelës, e fitoi Napoli, i cili mori sërish kreun pas suksesit të Juves, pasdite, dhe konfirmohet forcë e parë në Itali.

Skuadrës së Sarrit i mjaftoi nga një gol për pjesë loje. Teksa Mertens e zhbllokoi atë në të 20- ën, me një parabol magjike brenda zonës, ishte Hamshik që blindoi suksesin, vetëm dy minuta, pas fillimit të pjesës së dytë, pas asistit të Kajehonit. Edhe pse Napoli hidhet në kërkim të golit të tretë, në fund do të mjaftojë me kaq për Hysajn me shokë, për të dalë me tri pikë nga fusha.

napoli tifozet arbitrat

KONTESTIMI I TIFOZËVE – Lidhur me fjalët e presidentit të tyre, tifozët e Napolit kishin vendosur që të mbështesnin ekipin e tyre, përpara ndeshjes me Beneventon, me një banderolë thumbuese kundrejt Juves: “De Laurentis, nuk na duhen futbollistë. Në merkato blejmë arbitrat dhe fitojmë kampionatin”. Një pankartë që dallohet qartë se u referohet bardhezinjve…

MAROTA SULMON – Deklarata e presidentit të Napolit, Aurelio De Laurentis, sipas të cilit Juventusi dhe “bosi” i tyre, Andrea Anjeli, dinë që ta kushtëzojnë fatin e kampionatit, nëpërmjet arbitrave, edhe duke qëndruar në heshtje, kanë marrë dje përgjigjen e numrit dy të klubit bardhezi, Xhuzepe Marota. “Fjalët e De Laurentisit nuk na prekin aspak. Aurelio është një shakaxhi, ka fantazi klouni, një njeri i kinemasë ironike, ndaj i pëlqen të bëjë batuta. Gjithsesi po i citoj Shopenhauerin: ‘Kur flasin për ty, duhet të kuptosh se kush je ti dhe kush janë të tjerët”, u shpreh drejtori i përgjithshëm i Juves.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"