Napoli në krye, presidenti De Laurentis: E kuptoj ankthin e Juventusit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2017 | 19:26

Napoli në krye, presidenti De Laurentis: E kuptoj ankthin e Juventusit

Napoli i tij gjendet në krye të Serisë A pas 7 javëve të para, dhe tashmë Aurelio de Laurentis ka mësuar të bashkojë entuziazmin dhe realitetin, euforinë dhe logjikën.

sarri de laurentis

“Krahasuar me vitin e kaluar kemi më shumë siguri. Skudeto? Nuk kemi frikë ta themi, edhe pse nuk do të thotë asgjë pse jemi të parët në klasifikim. Do të jetë e rëndësishme të jemi në kryesim në muajin Mars, e më pas të bëjmë një marshim të fundit drejt fitores së kampionatit”, – u shpreh presidenti 68 vjeçar i Napolit. “Na shqetëson dëmtimi i Milik, por kemi shpresë se do të rikthehet nga fillimi i vitit tjetër. Sidoqoftë, Mertens po e bën shumë mirë detyrën si një ‘nëntë false’ në vijën e sulmit.”

JUVE – I pyetur për rivalët kryesorë në Skudeto, De Laurentis e kishte gati edhe thumbimin për bardhezinjtë e Alegrit. “Është normale që të jenë nervozë dhe në ankth. Edhe unë do isha si ata. Pas gjashtë kampionateve të fituar, ndoshta janë ngopur me trofe. Por, unë nuk do shisja kurrë lojtarë kyç të skuadrës, si Pol Pogba, akoma më shumë një lider si Bonuçi.”

SARRI – Pavarësisht rezultatit që do arrijë këtë sezon, tekniku Sarri nuk do të largohet nga stoli i Napolit, të paktën këtë thotë presidenti. “Jam ende i dashuruar me teknikun tim. Do e mbaja edhe për 10 vite të tjera. Por nëse ai ka dëshirë të largohet, do e bisedojmë.”

VAR – Nuk mund të mungonte edhe një koment për teknologjinë e re në futbollin italian. VAR-i ka pasur mjaft kontestime, por De Laurentis nuk ndan të njëjtin mendim. “Dëgjoj dhe lexoj disa që thonë se kjo teknologji ul ritmin e ndeshjes, dhe i prish bukurinë asaj. Unë mendoj se këto ndalesa të vogla i bëjnë mirë të gjithëve, përfshirë edhe arbitrin, pasi i japin mundësi të marrin pak veten nga ritmi i lartë i lojës.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"