Napoli-Hysaj, sot takimi që përcakton të ardhmen e mbrojtësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 10, 2016 | 11:34

Napoli-Hysaj, sot takimi që përcakton të ardhmen e mbrojtësit

Takimi i shumëpërfolur mes Elseid Hysajt dhe drejtuesve të Napolit do të zhvillohet gjatë ditës së sotme. Sipas ekspertit të merkatos italiane, Alfredo Pedulla, palët do të takohen në Bolonja, ku do të diskutojnë detajet e reja të kontratës së mbrojtësit të përfaqësueses shqiptare.

Elseid Hysaj

Hysaj është ende me pushime pas pjesëmarrjes së tij në Europian me Kombëtaren shqiptare, por menaxheri i lojtarit, Mario Xhiufredi, kishte planifikuar prej disa javësh një takim me drejtuesit e Napolit.

Takimi i organizuar për të mërkurën u anulua, për shkak të një problemi shëndetësor të menaxherit, por palët kanë caktuar ditën e sotme për t’u ulur në tavolinën e bisedimeve.

pogba-e-hysaj-durante-napoli-juventus

Tema kryesore e bisedave është rinovimi i kontratës së mbrojtësit të përfaqësueses, duke e shtyrë atë deri në vitin 2021, si dhe duke i përmirësuar rrogën, meqë aktualisht përfiton një shifër shumë të ulët në krahasim me titullarët e tjerë të Napolit, 500 mijë euro në sezon.

Napoli duket i gatshëm të pranojë kërkesën e lojtarit, duke i caktuar një rrogë që kalon 1 milion eurot në sezon. Por nga ana tjetër, klubi do të mbrohet nga skuadrat e tjera që ndjekin mbrojtësin kuqezi dhe kanë shfaqur interes për të.

Ndaj nuk është çudi që në kontratën e tij të re të vendoset një klauzolë largimi e lartë, për të mbajtur larg të gjithë pretendentët për futbollistin shqiptar, derisa vetë Napoli të vendosë ta nxjerrë në shitje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"