Napoli dhe Juvja vendosin “armëpushimin”, dy klubet nisin bisedimet për shkëmbimin e bujshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 3, 2020 | 12:25

Napoli dhe Juvja vendosin “armëpushimin”, dy klubet nisin bisedimet për shkëmbimin e bujshëm

Të gjithë e mbajnë mend transferimin e Gonzalo Higuainit nga Napoli te Juventusi dhe urrejtjen në rritje që erdhi mes këtyre dy klubeve, të cilat në tri nga katër sezonet e fundit ishin në një luftë të ndezur edhe për titullin kampion. Por ndoshta, duke parë edhe pandeminë dhe të gjithë kaosin sidomos ekonomik që solli kjo situatë, edhe dy klube që urrehen kaq shumë si bardhezinjtë dhe të kaltrit kanë vendosur që të vendosin një armëpushim mes tyre dhe të mendojnë të bëjnë “biznes” së bashku.BeFunky-collage

Prej 2 muajsh tashmë dihet se Arkadiuz Milik është një objektiv i Juventusit, për të zëvendësuar pikërisht atë që tradhtoi Napolin për Torinon, Gonzalo Higuainin. Sulmuesi polak ka hyrë në vitin e fundit të kontratës së tij me skuadrën nga jugu i Italisë dhe nuk ka ndërmend që të rinovojë, duke rrezikuar që verën tjetër të largohet me parametër zero. Madje, në korridoret e merkatos italiane përflitet se ai ua ka dhënë OK-in bardhezinjve për verën e ardhshme, pasi mes palëve është gjetur një akord 4-vjeçar, prej 5 milionë eurosh neto në sezon.

Dhe në këtë pikë, Napoli ndihet shumë inferior kundrejt Juventusit, por duke parë se nga ana tjetër edhe Atletiko e Madridit nuk i ka forcat që të shpenzojë 50 milionë euro sa kërkon presidenti De Laurentis, ky i fundit i gjunjëzohet “Zonjës së Vjetër”, por me një kusht. Në tratativën që do të dërgojë Arkadiuz Milikun në Torino duhet të bëjë pjesë edhe kartoni i sulmuesit bardhezi, Federiko Bernardeski, që për momentin vlerësohet 35 milionë euro.3e202040-7e43-4c75-af0d-35abecaa5842

Nëse këto janë shifrat e sakta dhe kërkesat e klubeve respektive, atëherë Juventusi, për të bërë të vetin Milikun dhe për të mbyllur sa më shpejt këtë marrëveshje duhet të bindë pikësëpari Bernardeskin që të pranojë ofertën e Napolit dhe në të njëjtën kohë të derdhë në arkat e të kaltërve një shifër prej 15 milionësh, për të mbyllur me sukses gjithçka. Të dyja palët kanë nisur zyrtarisht nga dje bisedimet dhe në orët në vazhdim pritet të ketë risi të rëndësishme mbi tratativën në fjalë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"