Napoli dhe Juventusi në dishezë drejt festave, Milani e Interi rrezikojnë/ Ja si mund të ndryshojë renditja e Serisë A

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2021 | 15:56

Napoli dhe Juventusi në dishezë drejt festave, Milani e Interi rrezikojnë/ Ja si mund të ndryshojë renditja e Serisë A

Sot do të luhet java e 10-të e Serisë A, e cila deri në këtë moment ka treguar dy realitete të forta: Napoli dhe Milani janë skuadrat e pamposhtura dhe dy kryesueset me pikë të barabarta në krye të renditjes. Interi i vendit të tretë papritur ka ngritur frenat e dorës me 1 pikë të marrë në dy ndeshjet e fundit (ndaj Lacios e Juves), ndërkohë që Roma, por edhe Juventusi, disi me drita fikur qëndrojnë aty-aty, edhe pse respektivisht me 9 dhe 10 pikë diferencë nga kreu, duke pritur për ndonjë gabim të mundshëm të tri të parave.

SERIA A

JUVJA NË DISHEZË – Gjithsesi, fakt është që deri në 9 javët e para, duke i hedhur një sy edhe kalendarit, ndoshta është “Zonja e Vjetër” ajo që sheh me më shumë optimizëm drejt së ardhmes, duke qenë se deri tani i ka sfiduar katër të parat në renditje, duke mundur Romën, barazuar me Interin e Milanin dhe duke humbur në fund me Napolin, me përmbysje.

Deri në përfundim të fazës së parë, mes rivaleve më të forta dhe duelet e vetme delikate që i kanë mbetur ndoshta janë ato kundër Sasuolos, pikërisht të mërkurën, Fiorentina dhe Atalanta, ndonëse nëse e krahasojmë me kalendarin e pretendenteve të tjera, pa dyshim që Juventusi duket se e ka një shëtitje deri për festat e dhjetorit, duke mos harruar edhe një fakt shumë të rëndësishëm.

Në Champions do t’i mjaftojë një fitore me Zenitin në Torino, për të prerë automatikisht biletën për në 1/8-at, pas 9 pikësh të grumbulluara në tri duelet e para. Dhe në fund, por jo më pak e rëndësishmja, skuadra e Alegrit (14 pikë në 6 takimet e fundit) është e vetmja që ka mbajtur pak a shumë ritmin e Napolit dhe Milanit në 6 ndeshjet e fundit (16 pikë nga 18 të mundshmet).

JUVENTUS

MILANI – Për sa u përket kuqezinjve, sot është testi i parë pasi kanë shijuar sërish kreun, duke luajtur me Bolonjën, ndërkohë që testi tjetër do të jetë në fundjavë ndaj Romës. Ndërkohë, më 7 nëntor do të jetë derbi i shumëpritur i qytetit ndaj Interit dhe më 19 dhjetor presin Napolin në shtëpi, takim që do të përmbushë edhe fazën e parë për “Djallin”. Gjithsesi, të mos harrojmë se Milani është ende në Champions dhe ndoshta lodhja në këtë turne, ndonëse ende me 0 pikë pas 3 javëve të para, mund të ndikojë jo pak.

milan

NAPOLI – Siç e thamë, të kaltrit do ta mbyllin fazën e parë të ndeshjeve kokë më kokë me Milanin, por edhe djemtë e Spaletit ashtu si Juvja nuk është se kanë deri për festa ndonjë shqetësim të madh, pasi nga duelet delikate u ka mbetur vetëm ai me Lacion në 28 nëntor dhe Atalanta më 4 dhjetor, dy takime që Napoli do t’i luajë në shtëpi.

NAPOLI

INTERI – Ndalesat me Lacion dhe Juven ngrenë jo pak alarmin dhe faktori që mund të ndikojë negativisht te zikaltrit është sfida Champions. Muaji nëntor do të jetë një bombë e vërtetë për Simone Inzagin dhe lojtarët e tij, duke qenë se përpara derbit me Milanin në 7 nëntor, janë të dënuar të fitojnë katër ditë më parë me Sherif Tiraspolin, për të bërë hapin e parë për t’u ngjitur në vendin e dytë në grup, në Champions.

inter 1

Por, akoma më shumë se kaq, sërish në tri ditë, respektivisht më 21 dhe 24 nëntor, fillimisht do të presin Napolin në “San Siro” dhe në të njëjtin stadium do të kërkojnë me Shahtjorin kualifikimin matematikor në Europë. Madje, kalendari u rezervon zikaltërve edhe duelin me ish-in Murinjo, me duelin ndaj Romës, i cili është në program më 4 dhjetor, tri ditë përpara transfertës së fundit në Champions, kundër Realit në Madrid, me shpresën se ky duel në “Santiago Bernabeu” do të jetë thjesht një ndeshje pa vlerë, nëse arrijnë të marrin 6 pikë të plotë ndaj Sherifit e Shahtjorit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"