Napoli “poker” Interit, zikaltrit futen në krizë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 16, 2013 | 9:25

Napoli “poker” Interit, zikaltrit futen në krizë

Napoli's Mertens shoots to score against Inter Milan during their Italian Serie A match at San Paolo stadium in NaplesInteri bën lojën, ndërsa Napoli gjen golat. Kur pritej që natën e mbrëmshme të vihej në jetë hakmarrja e Valter Maxarrit, në fund ai që hakmerret është Rafael Benitez, i cili likuidon në shifrat 4-2 zikaltrit në një ndeshje spektakolare. Në “San Paolo” luhet futboll i klasit botëror, por mbase milanezët penalizohen edhe nga kartoni i kuq i marrë nga Riki Alvarez në minutën e 71-të, duke ia bërë më të lehta gjërat Napolit në pjesën më të nxehtë të sfidës. Të dyja skuadrat janë të frikshme në kundërsulm, ndërsa në mbrojtje ofrojnë teatër me gafa që ndonjëherë bëjnë edhe të qeshin, megjithatë në fund më pak gabime bëjnë të kaltrit që blindojnë vendin e tretë duke e larguar me 7 pikë Interin. Rezultati për skuadrën e Benitezit mund të kishte qenë më i thellë, por në sekondat shtesë Handanoviç i pret ish-it Pandev një penallti, duke fituar duelin e vetëm të mbrëmjes. Tashmë gjërat për Maxarrin dhe të tijtë nisin të kenë aromë krize, pasi rezultatet në pritje të derbit me Milanin janë realisht negative.
45 minuta spektakël Ndeshja nis me zbritjen në fushë të Valter Maxarrit, i cili si ish përçan për disa minuta dy tribunat me ultras të Napolit: me njërën që e duartroket dhe e vlerëson, ndërsa tjetra e vërshëllen, e urren dhe ofendon. Mirëpo, ish-tekniku i të kaltërve e kalon pa shumë emocione këtë moment, duke përqafuar si një mik Benitezin dhe me përqendrim total në pankinën e tij. Por fillimi nuk është nga ato që priste Maxarri, sepse nuk kalojnë as 10 minuta lojë dhe “Pipita” Higuain me një të majtë fluturimthi ndez “San Paolon”. Trajneri zikaltër nuk e priste këtë. Tortura e tij nis më shpejt nga ç’pritej, ndonëse ato që e bëjnë edhe më nervoz janë rastet e shumta me breshëri që humbet Palasio i vetëm përballë portierit Rafael. Takimi është magjik, me të dyja skuadrat që vrapojnë me ritme të shfrenuara. Mirëpo teksa Interi shpërdoron shumë, Napoli ka një shënjestër më të mirë dhe pasi Insinje trondit kryqëzimin e shtyllave të Handanoviçit, në të 35-tën vjen barazimi i miqve. Alvarez në zonë dhuron një pasim perfekt për Kambiason, i cili nga pak metra depoziton në rrjetë. Duket sikur gjithçka do të mbyllet në baraspeshë, por në 7 minutat e pjesës së parë shënohen edhe tre gola të tjerë. Ata që e ekzagjerojnë janë napolitanët, të cilët në të 39- tën gjejnë avantazhin me Mertens, që serviret nga Xhemaili, me këtë të fundit që dërgon shifrat në 3-1 120 sekonda më vonë, kur godet i vetëm në zonë. Duket sikur ka përfunduar, por jo, sepse Nagatomo në minutën e dytë shtesë do të ngushtojë diferencën në 3-2 (asist i Guarinit), duke përfituar nga një amnezi e napolitanëve në mbrojtje. 5 gola në pjesën e parë, 5 realizime që e bëjnë me 5 yje këtë sfidë ekzaltuese.
Interi dorëzohet Pjesa e dytë nis mjaft mirë për zikaltrit, që tentojnë të shtypin Napolin në gjysmëfushën e vet, por Rafael duket edhe më i fortë sesa Reina mes kuadratit të portës duke shmangur golat e Palasios dhe sidomos një bombë të Guarinit nga fare afër. Por gjithçka ndryshon në minutën 71, kur Alvarez prek një top me dorë, duke merituar të verdhën e dytë dhe lënë ekipin e tij me 10 vetë. Benitez, edhe pse në superioritet numerik, nxjerr në fushë Behramin për Higuainin, një lëvizje që i bën zikaltrit të harrojnë se Kajehon është në fushë, dhe spanjolli mbyll ndeshjen duke përfituar nga pasimi i saktë i Insinjes, që kalon i pashqetësuar mbrojtësit e përgjumur zikaltër. Në fund, Handanoviç mbron nderin e tij duke i pritur një penallti Pandevit, por Interi gjithsesi del me kocka të thyera nga kjo transfertë.
Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"