Nallbani: Tirana të mos ankohet për arbitrat, duhet të “vrasë” ndeshjet. Skënderbeu uroj të mos dënohet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2018 | 21:51

Nallbani: Tirana të mos ankohet për arbitrat, duhet të “vrasë” ndeshjet. Skënderbeu uroj të mos dënohet

Hapi fals në Ballsh, për vetë suprem acinë e bardhebluve në Kategorinë e Parë këtë sezon, nuk konsiderohet aspak si pengesë për ngjitjen në elitë. I këtij mendimi është Blendi Nallbani, ishkapiteni i Tiranës, në një intervistë për “Panorama Sport”.

“Tata”, siç është edhe pseudonimi për të gjithë të njohurit e ish-gardianit kryeqytetas, deklaron se skuadra e drejtuar nga Ze Maria ka të gjithë eksperiencën dhe mbi të gjitha kontingjentin e plotë për të qenë pjesë e Superiores. Sipas tij, kjo gjë u pa gjatë përballjeve në Kupën e Shqipërisë. Sa i përket çështjes “Skënderbeu”, Nallbani ka vetëm një urim: “E mira është të mos jetë e vërtetë!”…

nallbani

Tirana nuk fitoi dot ndaj një rivali direkt si Bylisi as në fazën e dytë, a e rrezikon ngjitjen në Superiore ky fakt?

Unë e kam thënë dhe e them, që Tirana nuk e diskuton ngjitjen në Superiore. Nuk ishte puna se Tirana luajti mirë dhe ishte në avantazh, por vendosi penalltia. Në fakt, unë nuk dua që ta diskutoj, për të mos u bërë përsëritës me analizat e atyre që dalin në studio dhe për moviolë, mirëpo sipas meje, nuk ishte penallti. Gjithsesi, për të mos mbetur vetëm në këtë aspekt, Tirana nuk duhet që t’i lërë ndeshjet me vetëm një gol. Sidomos nëpër rrethe, duke parë çfarë po ndodh edhe në Superiore e jo më në atë kategori, kur edhe vëzhgimi është më i pakët.

Arbitrimi i tillë, a mendon se ka lidhje me situatën paszgjedhore në FSHF?

Nuk ka lidhje. Ne e kemi si metodë në sport dhe sa herë bëhen zgjedhjet në federatë, themi “e ka bërë për inat Armando. Apo e ka bërë për inat të atyre që votuan apo nuk votuan Bashkim Finon dhe u ka thënë arbitrave që të mbajnë keq Tiranën apo Partizanin etj., etj.”. Nuk i llogaris fare këto gjëra. Meqenëse po më pyet prapë për arbitrimin, them vetëm që ashtu e ka parë arbitri. Mendimin tim jua thashë më sipër se çfarë mendoj për atë episod, pasi nuk pashë të kishte ndonjë kontakt. Tirana duhet të sigurojë më shpejt rezultatin, me 2 apo tre gola, për të mos u dhënë shkas të tjerëve që t’i vënë në diskutim takimet dhe se nuk i takon që të merret me gjyqtarët.

Çfarë mendon për zëvendësimet e kryera në ndeshjen me rivalin direkt, largimi i sulmuesit Ngoo dhe i kapitenit Karabeci?

Është çështje e trajnerit. Duke menduar për mirë, për të dhënë impulse pozitive, jo gjithmonë rezulton në këtë mënyrë. Ndodh që edhe ndërrimet të mos dalin me pozitivitet. Sipas meje, Karabeci është ai që mban peshën e Tiranës në mesin e fushës. Gjithsesi, nuk mund të gjykoj zgjedhjet e trajnerit. Nuk i doli mirë këtë herë dhe herët e tjera ka pasur të drejtë, ndaj nuk është për t’u gjykuar shumë.

blendi nallbani

Eliminimi në kupë, sa ka ndikuar në atmosferën e skuadrës përpara këtij takimi?

Unë i kam parë të dyja ndeshjet në Kupë ndaj Kukësit. Për mendimin tim, Tirana është eliminuar kot. Kishte mundësi edhe në Kukës, në minutat e fundit që të barazonte takimin me disa episode flagrante për shënim dhe ta kalonte sfidën në kohën shtesë. Megjithatë, pikësynimi kryesor i Tiranës është që të ngjitet në Superiore. Me sa kam parë, edhe në përballjet me to, nuk ka asnjë dallim nga klubet e elitës në vendin tonë. Doli aksidentalisht nga kategoria, për të mos iu kthyer atyre që ndodhën.

Çfarë komenti ke për situatën dhe diskutimet, mbi të cilat dyshohet për Skënderbeun dhe është kërkuar një dënim nga UEFA?

E mira e Korçës dhe futbollit shqiptar është që të mos jetë e vërtetë. Uroj shumë që të mos ndodhë asgjë sepse do të jetë një disfatë shumë e madhe. Uroj shumë që të jenë fjalë, edhe pse nuk besoj vërtet se janë të tilla. Ka qenë edhe dy vite më parë kjo situatë me Skënderbeun. Më vjen shumë keq nëse ndodh që të merret një masë e tillë, pasi do të jetë shumë e rëndë për Skënderbeun dhe për futbollin tonë. Unë jam formuar te Partizani, kam luajtur me Tiranën, kam luajtur jashtë vendit apo edhe me ekipin kombëtar, por mendoj që është disfatë shumë e rëndë për të gjithë Shqipërinë, jo vetëm për ekipin.

Blendi Nallbani

Me sa e ke ndjekur kampionatin deri më tani, kë veçon si surprizë të sezonit?

Më ka pëlqyer Flamurtari. Ka ndodhur edhe vitet e kaluara që të bëjë shumë blerje, por këtë vit po ecën mirë. Më ka pëlqyer Laçi. Sa i përket Luftëtarit, vjet ka qenë një skuadër më e bukur për t’u parë, ndërsa këtë vit jo shumë. Më vjen keq për Teutën, për situatën që po kalon. Në fund fare, dua që Tirana të dalë në Superiore.

Vetëm çështje dëshire apo mendon se e meriton vërtet?

Duke filluar nga drejtimi, nga presidenti, stafi drejtues, akademia, dhe terrenet e infrastruktura që ka, Tirana është një nga ekipet më të kompletuara. Nuk i mungon asgjë dhe i duhet vetëm pak fat. Ka një nga portierët më të mirë në Shqipëri, pavarësisht se luan në Kategorinë e Parë. Ilion Lika, po ta krahasosh me portierët e Superiores, është disa herë më lart.

Doza të larta optimizmi…

Me të drejtë e thoni këtë, apo kush e lexon këtë që po shpreh, mund ta thotë, duke qenë se Tirana është në Kategorinë e Parë dhe unë jam dakord. Por, e dimë të gjithë se si doli nga kategoria. Është skuadër e ndërtuar dhe të mbash trajner të huaj edhe në atë kategori, nuk është pak. Pastaj gabimet dhe fajet e së shkuarës qoftë brenda skuadrës, nuk është se ndodhën për herë të parë te ky klub. Kanë ndodhur edhe në të shkuarën tek ekipe edhe më të mëdha nëpër botë.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"