Nallbani: Tirana shpallet kampione vitin tjetër! Partizani rrezikon të bjerë, s’ka bërë akoma asnjë gol

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2017 | 12:22

Nallbani: Tirana shpallet kampione vitin tjetër! Partizani rrezikon të bjerë, s’ka bërë akoma asnjë gol

“Tirana po kthehet në identitet”, kështu deklaron Blendi Nallbani. Ish-portieri sheh rritje te bardheblutë, ndërsa ngjitjen as që e diskuton. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ai vlerëson Ze Marian dhe frymën e grupit, ndërsa nuk ngurron që të komentojë edhe protestat e vazhdueshme të tifozëve. Nuk mund të mos fliste për Superioren dhe Partizanin, që sipas tij rrezikon rënien.

blendi nallbani

Tri javë në Kategorinë e Parë dhe 9 pikë. Si e gjykon “Tata” startin e këtij sezoni?

Fillim i mbarë për Kategorinë e Parë. Ngjitja e menjëhershme as që diskutohet, pasi Tirana të rreh vetëm me emër. I kam ndjekur thuajse të gjitha ndeshjet dhe mund të them që po kthehen në identitet. Bindin në lojë, por edhe me rezultatet. Janë në rrugë të mbarë.

Çfarë ka ndryshuar nga sezoni i kaluar?

Vend për krahasime nuk ka, pasi sezoni i kaluar duhet të harrohet një herë e mirë. Ndryshimet nisin në stol. Më ka pëlqyer shumë trajneri. Në këto javë ka bërë realisht mirë. Shpresoj që ta lënë që të punojë. Pasi te Tirana i marrim me bujë të madhe dhe pastaj dalin “bishtat”. Ai ka sjellë një mentalitet ndryshe.

Kanë shënuar 7 gola dhe nuk kanë pësuar asnjë, ky bilanc ju jep shpresë?

Ze Maria vjen nga Seria A dhe kjo nuk është pak. Si lojtar e njohim të gjithë, edhe pse si trajner nuk ka krijuar ndonjë emër të madh, si në Rumani për shembull. Por, sido që të jetë puna, po dëshmon vlera dhe mosha është një “bonus” për të. Për fat është i ri, ka dëshirë dhe merret vesh me lojtarët. Ma kanë lavdëruar shumë dhe Alihmehmeti është një ndër ta. Ka disiplinë sportive, por njëherësh arrin që të krijojë situata harmonike në ekip. Në momentin kur e ke shok trajnerin, kur del në fushë jep maksimumin edhe për të.

Ekipi po ecën, por tifozët vazhdojnë të protestojnë…

Tifozët janë pjesë e rëndësishme e Tiranës, por unë jam kundër ofendimeve. Tifozit nuk ia mbyll dot gojën, por është e shëmtuar kur kalon masën. Nuk i kuptoj akoma nëse po vijnë në stadium për të mbështetur Tiranën apo për të hapur ato parullat. Tifozi për mua është ai që të përkrah në ditë të vështira.

Pasi siguroi Superkupën, Tirana synon ngjitjen dhe Kupën e Shqipërisë. I shihni të realizueshme?

Superkupa ishte më shumë për moral, ndërsa Kupa për mua është shtojcë. Nëse nuk realizohet ngjitja, Europa nuk i hyn në punë askujt. Por, nëse arrihen të dyja, atëherë do të ishte super. Gjithsesi mendoj se trofetë më shumë i duan për të treguar se kush është “Tirona”.

A ka rivalë Tirana këtë sezon në të Parën?

Rivalë?! Jo, rivalë kanë vetëm veten. Askënd tjetër.

Superiorja nisi pa Tiranën. Si i keni parë këto 4 javë?

Të them të drejtën, nuk më ngjit. Shoh ndonjë ndeshje tek-tuk, por për mua nuk ka Superiore pa Tiranë, Partizan e Dinamo. Janë klube të mëdha. Por tashmë ndodhi, ndaj duhet ta pranojmë.

A ka zënë mend Tirana nga gabimet e së shkuarës?

Si mos zësh mend kur del nga kategoria?! Patjetër që kanë mësuar nga gabimet. Megjithatë ajo që iku, iku, të mos qajmë kot.

Cili lojtar ju ka rënë në sy këtë sezon?

Asnjë në veçanti, por të gjithë në përgjithësi. Lojtari më i mirë i Tiranës është grupi, pasi ata po japin maksimumin. Vetëm kështu do ia dalin. Po kthehen aty ku e kanë vendin. Thjesht i rrëshqiti këmba vjet, me dashje pa dashje, por tani ringjitja është e sigurt. Tirana, sa të mbyllet faza e parë, me treçerekun e këmbës është në Superiore. Dhe, kur të kthehet, shpallet direkt kampione. Këtë mbajeni mend të gjithë!

Këtë vit nuk do shohim as derbi…

Asnjëra nuk bën dot pa tjetrën. Përtej armiqësisë, pa derbi nuk ka lezet kampionati. Shpresoj vetëm që mos e humbim vitin tjetër.

Pse, mendoni që edhe Partizani rrezikon rënien?

Si mos e mendoj?! Ata bënë gjithë ato blerje. Morën Moxhin, Iulianon, lojtarët paguhen me shifra tejet të larta, por të mos bësh një gol?! Nuk e di çfarë emri t’i vendos.

E fundit, kush mendon se shpallet kampion këtë sezon?

Me thënë të drejtën, Skënderbeu është ekipi më i kompletuar. Nuk kanë kundërshtarë. Është fakt i kryer. Marrin pjesë në Europë dhe marshojnë në Superiore. Kur të kujtohet Partizani të bëjë një gol, ka ikur ai tjetri 10 pikë para. “Jo po grupi”, “jo po s’po merren vesh lojtarët”, “jo po s’lidhet loja”. Iku koha e justifikimeve. Keq më vjen, por duhet të mbajnë përgjegjësi.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"