Nallbani: Tirana për titull, Skënderbeu fodull

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2016 | 22:20

Nallbani: Tirana për titull, Skënderbeu fodull

Ka qenë ndër të parët që ka deklaruar se Tirana do të jetë për titull këtë sezon dhe këtij mendimi i qëndron ende. Blendi Nallbani nuk është befasuar aspak nga fitorja me Skënderbeun, ndërsa rikujton edhe një herë emrin e madh të klubit dhe trofetë. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, ai i bën “skanerin” supersfidës së javës së 7-të, ndërsa shprehet se korçarët humbën në kryeqytet prej vetëbesimit të tepruar.

Nallbani

Tirana mposhti Skënderbeun, e priste “Tata” fitoren e bardhebluve?

Patjetër që po. Tirana ka emrin më të madh sesa të Skënderbeut, plus edhe tituj numëron shumë, përtej dominimit të viteve të fundit që kanë korçarët.

Po në fushë si i patë skuadrat?

Kam kohë që e kam thënë “mbajeni mend Tiranën”. Madje, më vjen shumë mirë që pashë një stadium të tejmbushur, ku veç grupimeve të zakonshme, kishte tifozë të moshës së 3-të dhe të 4-t. Kjo është pozitive. Ishte fitore me shumë vlera, por është vetëm fillimi. Madje, më pëlqeu shumë përulësia e Ilir Dajës pas ndeshjes, i cili ishte shumë modest. Në fund të fundit u mposht Skënderbeu, u bë detyra, por tani duhet vazhdimësi.

Doni të thoni që tani nis prova e vërtetë për Tiranën…?

Po, pasi kampionati është i gjatë. “Lumi rrugës do të sjellë shumë trungje”.

Çfarë funksionoi te Tirana në atë ndeshje dhe çfarë nuk shkoi siç duhet te Skënderbeu?

Tirana ishte ndryshe. Hyri që në nxehje me bindjen se do ta fitonte këtë ndeshje. Ndërsa Skënderbeu iu kthye karakteristikës së korçarëve, edhe pse shumica nuk janë korçarë në ekip, por duket se janë “infektuar”. Dua të them që e nisën me fodullëk ndeshjen, duke menduar “hë, se jemi ne”. Por, ka ikur ajo kohë. Tirana e kishte përgatitur më mirë ndeshjen, e mori seriozisht, ndryshe nga Skënderbeu. Korçarët u kujtuan në fund për të luajtur, por nuk kishte më kohë.

Tirana gol Skenderbeut

Tirana nuk e nisi me shumë pretendime këtë sezon, por kur kanë kaluar 7 javë po tregon se është në garë për kreun e renditjes. Projekti duket se po jep frytet e veta…

E thashë edhe më lart, Tirana ka emër të madh dhe vetëm me të çan përpara. Nuk është punë projekti, pasi asnjëherë nuk ka munguar “plani”, por në fund as Europën nuk kanë arritur. Skënderbeu është 5 pikë para, nuk janë shumë e as pak. Tirana, nëse ecën me këtë ritëm, mund t’ia dalë.

Tirana luan me Luftëtarin në fushë asnjanëse, si e parashikoni këtë duel?

Luftëtari historikisht u ka hapur punë kryeqytetasve, si Partizanit dhe Tiranës. Por, kanë ndryshuar brezat, megjithatë kjo mbetet sërish sfidë e vështirë. Tirana duhet që të marrë pikë si brenda dhe jashtë fushe, pasi ndryshe nuk mund të fitosh tituj dhe të kapësh Europën.

Afrikanët e Tiranës bënë diferencën, si e vlerësoni paraqitjen e tyre?

Më pëlqen Merviel. Është lojtar shumë i mirë, ndërsa për të tjerët nuk di ç’të them, duhen parë ende.

Në këto 7 javë që e keni parë, mendoni se i mungon gjë Tiranës?

Deri në këtë fazë, Tirana është perfekte, duke filluar nga trajneri, portieri, mbrojtja, mesfusha, sulmi, por edhe stoli. Vazhdimësia do tregojë nëse do të jenë apo jo në rrugën e duhur. Unë po e gjykoj deri në këtë fazë.

Vazhdoni t’i qëndroni besnik deklaratës suaj, kur thatë që Tirana është për titull?

Edhe kur rrezikonte rënien, Tirana kishte shanse për Europë. Edhe atëherë kur nuk kishte shpresa, unë kam besuar që do t’ia dilnin dhe ia dolën, jo vetëm mbijetuan, por ishin aq pranë zonës “Euro”. Nuk kam si të mos besoj tani. Tirana është e frikshme si në vend të parë dhe në të fundit, ndaj shanset janë të mëdha.

Tirana-Skenderbeu 1

Si e shikon kampionatin në tërësi “Tata”?

Skënderbeu mbetet ekip i fortë, përtej humbjes së parë të pësuar në javën e 7-të. Ata kanë një ekip shumë të mirë, nga porta në sulm. Humbën si humbën me Tiranën, por edhe me Teutën vuajtën. Kalendari është i vështirë.

Po Partizani ju bind?

Luajnë mirë, por si Tirana edhe ata. Kanë në favor vetëm faktin që luajtën në Europë.

Ka “luftë” edhe në zonën e ftohtë, ndërsa nga vendi i 5-të e deri tek i 10-ti janë aty-aty me pikë…

Ajo do të jetë një “luftë” e ashpër. Më vjen keq për Flamurtarin, pasi po bëhen vite që investohet dhe janë ekip i mirëpaguar. Më vjen keq, pasi janë një ekip me tradita. Në të shkuarën vështirë t’u bëje një gol në kryeqytet, e jo më 4 në Vlorë. Është e tepërt. Edhe Korabi, për shembull, ndonëse debutues, ka lojtarë me emër në organikë.

Si ish-portier, çfarë note i vendosi Ilion Likës?

Ai bashkë me Alban Hoxhën janë në rrugë të mbarë. Portieri i Partizanit ka pësuar vetëm një gol, ndërsa Ilioni njihet tashmë, nuk ka nevojë për shumë fjalë, është portier me përvojë. Ai e ka shpëtuar Tiranën në disa ndeshje dhe i ka dhënë siguri kuadratit.

Të rikthyerit po shkëlqejnë, rasti konkret është i Takut dhe Muzakës. Është më e fortë Tirana me ta?

Taku e ka treguar veten, ndërsa për Muzakën më bëhet shumë qejfi. I dha fitoren Tiranës, me atë gol me kokë i dha rrugë kthesës së ekipit. Është lojtar me përvojë dhe që di të bëjë gjithë diferencën.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"