Blendi Nallbani: Tirana ishte kampionia në fushë, e vodhën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2016 | 8:46

Blendi Nallbani: Tirana ishte kampionia në fushë, e vodhën

blendi nallbaniBlendi Nallbani mendon se Tiranën e vodhën në Korçë. Ishportieri legjendar i bardhebluve e cilëson fatale gafën e arbitrit me Gilman Likën, ndërsa sqaron se edhe penalltia e dhënë në favor të Skënderbeut nuk ishte. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” ai vlerëson paraqitjen e kryeqytetaseve ndaj kampionëve si perfekte, ndërsa i vjen habi që FSHF-ja vepron me dy standarde në zgjedhjen e gjyqtarëve.

Tirana humb minimalisht në Korçë, si e patë atë ndeshje?

Në fakt, unë pashë vetëm pjesën e dytë, por aq më mjaftoi për të kuptuar që Tirana ishte më superiore se kundërshtari. Por, më erdhi shumë keq që s’ia dhanë atë penallti.

Në harkun kohor të 5 minutave u vendos gjithçka, si ju duken penalltitë?

Po flas pa tifozllëk këtu, penalltia në favor të Skënderbeu nuk ishte. Ndërsa ajo e Tiranës ishte “sade” dhe kur nuk jepet ajo, është kulmi. Hoxhallari ishte statik dhe kapi vetëm topin, por këtu është meritë e kundërshtarit që e “vodhi”, siç thuhet në gjuhën e sportit. Ndërsa ajo që nuk iu dha Likës qe fatale, ndërhyrja e mbrojtësit të Skënderbeut ishte e rëndë dhe, veç 11-metërshit, duhet të ndëshkohej me të verdhë apo të kuq.

Si u ndiet?

Më vjen keq për Tiranën, pasi dëshmoi që me ekipe të forta bën futboll të mirë, ndërsa me të voglat çalon. Por me atë që pashë të hënën, Tirana zhvilloi një nga lojërat më të bukura të këtij sezoni. Por humbja në fund rëndon. Nuk dua që t’i gjykoj arbitrat, por mirë nuk bëjnë. Gabimet njerëzore po bëhen të shpeshta ndaj Tiranës. Dhe rrjedhimisht më lind pyetja: përse nuk bëri gabim njerëzor edhe në rastin e Likës?!

Ju duket tendencioze ndaj Tiranës?

Në kohën kur luaja unë dhe arbitra kemi pasur kundër. Kemi vuajtur shumë nëpër rrethe, por ia dilnim, pasi e dinim që në transferta do të kishim edhe gjyqtarët kundër, luanim kundër 14 vetave. Më duket sikur Tirana po sulmohet shumë, është për të ardhur keq, pasi është klub me emër dhe ekipi më i titulluar në vend. E bardha është e bardhë dhe e zeza e zezë. Mirëpo jo vetëm që nuk ndihmohet, por po penalizohet. Dhe mendoj se Tirana u vodh. Madje kishin mundësi të fitonin, por të paktën mos ta linin pa një pikë.

Në ndeshjen Partizani-Kukësi gjykonin 5 arbitra, ndërsa në Korçë mungonin ata pas porte. Pse ndodh kjo, kur të dyja sfidat ishin të rëndësishme?

Këtu është faji i federatës. Pasi edhe kjo e Korçës ishte për 5 arbitra. Është ligj, që të gjitha ndeshjet e Superiores duhet të kenë edhe gjyqtarë pas porte, pasi janë ndeshje të forta dhe me tension. Habitem që janë këto dy standarde.

Cili ishte ekipi kampion në fushë në këtë përballje?

Skënderbeu nuk ka nevojë për komente, por me çfarë pashë nuk më bindi. Tirana ishte perfekte në çdo drejtim. Nga porta deri në sulm ekipi funksionoi. Që të kemi parasysh se nuk kishte as sulmues të mirëfilltë, pasi nuk kishte as golashënuesin Bakaj. Ishin një grup kompakt, i cili e bëri “zap” Korçën.

Pas asaj humbjeje, Tirana pret Teutën në shtëpi, edhe kjo sfidë përcaktuese, por për vendin e tretë. Si e parashikoni?

Duhet patjetër që të fitojë, pasi përballë ka një ekip të mirë, krahasuar me vitet e fundit. Por Tirana ka një problem që luan mirë me të fortat dhe me “të voglat” çedon.

Do ta arrijë Tirana Europën?

Tiranës i mbetet Europa tashmë, pasi diferenca është thelluar. Tashmë duhet të mbahet ritmi dhe të mos gabojë më, sepse harxhimet e presidentit kanë qenë realisht madhore. E meritojnë që të paktën të jenë në arenën europiane. Më vjen keq për Halilin dhe tifozët.

Po titulli?

Korça nuk po gabon, po ecën. Edhe pse me lojë nuk po bind, ka marrë trepikëshin. Ndërsa Partizani ka pas disa oscilacione, vjen Flamurtari i merr pikë dhe fiton me Kukësin. Ka ndeshje me bollëk, por besoj se Skënderbeu është më pranë, edhe pse mua qejfi ma ka për Partizanin, se u bë vite që nuk po e merr një titull.

Tirana nuk është e vetmja që është penalizuar nga gjykimi, pasi gafat janë shtuar ndjeshëm?

Më dolët në temë. Më erdhi shumë keq për Tërbunin, që u ndëshkua pasi gjyqtari dha 7 minuta shtesë. Dhe ku e gjejnë tek ekipet e dobëta. Bëhen disa veprime që janë trashanike.

Po afron dhe derbi, si e parashikoni?

Është një ndeshje që nuk njeh pozita, pra edhe ai që është më dobët mund të befasojë. Është një duel që dhuron spektakël dhe që tifozët nuk e përtypin dot humbjen. Unë mendoj se Tiranës i ka ardhur momenti që të fitojë një derbi. Me atë kontingjent që ka dhe trajnerin që ka bërë një punë shumë të mirë, kam besim se do t’ia dalin. Nëse marrin pikë në derbi, atëherë do hidhnin një hap përpara. Pastaj do bëhej si kampionat lagjesh, me diferenca të mëdha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"