Nallbani: Më vjen keq për Josën, as Kupa nuk e justifikon rënien

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2017 | 16:17

Nallbani: Më vjen keq për Josën, as Kupa nuk e justifikon rënien

Blendi Nallbani është i bindur që Tirana jo vetëm do të mbijetojë, por edhe do të fitojë Kupën e Shqipërisë. Ish-portieri e pranon që situata jo vetëm është kritike, por edhe e errët, madje më e errëta e klubit më të titulluar në vend. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ai u bën thirrje tifozëve që të lënë mëritë dhe të mbështesin ekipin në 4 javët e fundit dhe vetëm në fund të sezonit të bëjnë një mbledhje dhe të gjejnë “fajtorët”.

nallbani

Koha nuk premton dhe bardheblutë kanë nevojë për lojtarin e 12- të në stadium. Ai ka edhe një mesazh për lojtarët, ndërsa u thotë: “Jepni zemrën në fushë për atë fanellë”. Me llogaritë e “Tatës”, kryeqytetasit do të marrin 7 pikë.

Pas humbjes në Vlorë, “kambanat” e alarmit janë më të forta…

Tifozët duhet ta mbështesin, duhet t’i harrojnë problemet. Tirana është e tifozëve, pastaj e Blend Nallbanit apo Refik Halilit. Tashmë nuk ka më nevojë për lojë të bukur. Ajo duhet kur je shumë pikë para, ke marrë titull apo ke siguruar mbijetesën. S’ka më interes.

Çfarë duhet të bëjë Tirana?

Nuk duhet të gjejnë “fajtorë” tani, ato le t’i zbulojnë mbrapa. Të mbyllet sezoni, të sigurojnë mbijetesën. Të bëjnë një mbledhje. Rëndësi ka që Tirana të mbetet në Superiore.

tirana

Ka javë që “dergjen”, megjithatë e kishit menduar që 4 javë para fundit do ishin në të tilla pozita?

Unë mbaj mend edhe vitin 2014, por kanë qenë më mirë se kaq. Edhe atëherë u ringritën dhe rivalizuan, madje edhe për Europën. Është situatë shumë e vështirë, ndaj u bëj thirrje lojtarëve që të jenë sa më të qetë. Qetësia është çelësi i suksesit në këto çaste. Mos dëgjojnë fjalët apo kritikat, pasi edhe ato janë të pashmangshme në këtë gjendje. Por t’i harrojnë, madje t’u vendosin edhe pambuk veshëve. Të shohin ndeshjen e radhës dhe të fitojnë me çdo kusht me Korabin.

Të duket e kalueshme ndeshja e së enjtes?

Duhet ta kalojnë, nuk kanë rrugë tjetër. Por, siç thotë populli, “i mbyturi të mbyt”, ndaj këtë shprehje ta kenë mirë parasysh. Duhet të kujtojnë atë që i ndodhi Vllaznisë para dy javëve, ndërsa u ndal nga dibranët. Mos bëjë gabime. Nuk duhet të ketë më hapa falsë, pasi do ishte fatale.

Me çfarë llogarish mbijeton Tirana?

Duhet të marrë 7 pikë. Mos i diskutojë dy ndeshjet në shtëpi, atë me Korabin dhe Luftëtarin. Veç tyre, duhet të marrë pikë edhe në Shkodër, në javën e fundit. E lehtë nuk do të jetë, pasi edhe këto ekipe kanë synimet për Europën. Çdo ndeshje është si finale.

Blendi Nallbani

“Tata” e mendon rënien?

Tirana ka forcën që ta përballojë këtë siklet. Jam shumë i bindur se të bashkuar do ia dalin, drejtues, staf, lojtarë, por edhe tifozë. Ndaj u bëj thirrje që t’i qëndrojnë afër në këto 4 javë. Nëse e duan Tiranën, le ta tregojnë tani.

Ka një mesazh kurajues “Tata” për lojtarët?

Lojtarët duhet të vendosin zemrën në fushë. Të luajnë për veten në radhë të parë dhe për emrin e madh të atij klubi. Të shpëtojnë peshën e asaj fanelle. Është një barrë e vështirë që u ka rënë për pjesë, pasi Tirana nuk ka qenë ndonjëherë në këto pozita. Nëse e duan atë klub, le të mbledhin forcat.

Josa Tirana stervitje

Po për Josën…?

Më vjen keq se e kam mik. Ai është mësuar vetëm të fitojë. Nga “rekordmen”, këtë vit po lufton për mbijetesë. Nuk është faji i tij, por dashur pa dashur është pjesë e kësaj situate. Skuadra është duke luajtur mirë, pasi po krijon raste. Madje edhe në Vlorë bënë futboll, ishte një ndeshje reklamë, madje na u duk si java hapëse e kampionatit. Por, s’kanë më as fat. Shpresoj që t’u kthehet në këto javë të fundit.

Mos ndoshta nuk duhet të mendojnë për Kupën dhe të mbledhin forcat për 360 minutat e fundit?

Kupën e marrin. Megjithatë, tani rëndësi ka mbijetesa, nuk ka vlerë Europa dhe as ato parà që do arkëtohen, nëse del nga kategoria. Gjithsesi, unë s’e çoj ndër mend rënien.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"