Nako karikon Lushnjën: Ja pse besojmë tek fitorja në Fier

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 8, 2020 | 13:18

Nako karikon Lushnjën: Ja pse besojmë tek fitorja në Fier

Rudin Nako, një nga mbrojtësit më me përvojë, si në Kategorinë e Parë ashtu edhe në Superiore, pak ditë më parë mbushi 33 vjeç. Jo vetëm kaq, por ai është edhe një nga mbrojtësit më të mirë që ka nxjerrë “shkolla” fierake e futbollit. Që nga janari, Rudi është pjesë e skuadrës së Lushnjës, pasi klubi lagunar e afroi për të pasur një lider në repartin e prapavijës. Në prag të derbit me Apoloninë, qendërmbrojtësi i njohur duhet të flasë ndryshe, pasi këtë herë do të sfidojë ekipin e qytetit të tij. Hera e fundit që Apolonia ka mundur Lushnjën ka qenë 12 dhjetori i vitit 2015, kur ishte pikërisht Nako ai që shënoi golin e fitores, ndërsa tashmë mbrojtësi beson se mund të jetë vendimtar edhe në këtë derbi, ku do të mbajë veshur fanellën e lagunarëve.
rubin-nako-653x420

“Përtej lojës mbrojtëse, unë dal gjithnjë në ndihmë të sulmit dhe kam raporte të mira me golin. Ne po përgatitemi për një ndeshje të rëndësishme dhe mendoj se do të jem në maksimumin tim. Plus që do të vë në punë edhe eksperiencën”, shprehet Nako, i cili më pas zbulon nëse do të festojë apo jo në rast se shënon ndaj ish-skuadrës së tij: “Është një ndeshje delikate për mua, por jam lojtar profesionist dhe përgatitem që të jap maksimumin në ekipin ku luaj. Sa për shënimin e golit, gjithmonë futbollistët, sidomos në një derbi, kanë dëshirë të madhe për të shënuar. E rëndësishme është fitorja, por nëse do të shënoj, nuk do të festoj”.

Nako e njeh mirë Apoloninë, por beson te suksesi i Lushnjës: “I njoh të gjithë lojtarët e Apolonisë, sepse kam luajtur aty. Është një ekip i ri dhe lojtarët kanë potencial. Nuk është korrekte të flasim për pika të dobëta apo të forta. Duke e njohur ekipin e Apolonisë, kam shumë besim se Lushnja do ta kalojë me sukses këtë ndeshje”.

Më tej 33-vjeçari flet për eksperiencën te lagunarët: “Jam shumë i kënaqur tek ekipi i Lushnjës, në çdo aspekt ndihem shumë mirë. Një ambient me traditë futbolli dhe shumë korrekt. Shpresojmë që të ngjitemi në Superiore në fund të sezonit, ky është objektivi për të cilin kemi folur”.

Më pas ai komenton edhe forcën sulmuese të kundërshtarit: “Mihana dhe Gjata janë lojtarë të talentuar, por nuk janë vetëm këta. Stafi dhe ekipi ynë po e përgatitin ndeshjen në çdo aspekt, për t’u mbrojtur dhe sulmuar si ekip”. Në dy miqësore, Lushnja regjistroi tre gola të pësuar, por mbrojtësi nuk duket aspak i shqetësuar: “Është e vërtetë që kemi pësuar tre gola në këto dy miqësore, por janë thjesht ndeshje testuese. Ekipi ka zhvilluar fazën përgatitore dhe kemi pasur ngarkesë. Po punojmë të minimizojmë çdo gabim në situata të ndryshme loje”.

Rudin Nako e mbyll prononcimin e tij duke folur për mungesën e tifozëve në një takim të tillë: “Patjetër që do të ndikojë. Derbi ka pasur gjithnjë një prezencë të dukshme në shkallët e stadiumit, siç ishte edhe në fazën e dytë. Ndërsa tani do të luajmë pa tifozë, të cilët gjithsesi besoj se do t’i kënaqim, sepse të gjithë do të jenë para televizorit”.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"