Nagelsman nuk njeh humbje ndaj Hertës: E di si munden berlinezët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2022 | 14:17

Nagelsman nuk njeh humbje ndaj Hertës: E di si munden berlinezët

Bajerni do të luajë sot një transfertë të vështirë ndaj Hertës së Berlinit. Java e 20-të ka rezervuar për kampionët e Gjermanisë një duel i cili do të vendosë jo pak në luftën për titull. Trajneri i skuadrës, Julian Nagelsman, tha se është i lumtur që ka rigjetur disa prej titullarëve të cilët nuk ishin në dy ndeshjet e fundit.

NAGELSMAN

Njiheni si ekspert për sa u përket ndeshjeve kundër Hertës, ka një arsye?

Është më shumë një rastësi. Ndaj tyre kam bërë gjithmonë ndeshje të mëdha, si kur drejtoja Hofenhaimin ashtu dhe Lajpcigun. Shpresoj që nesër kjo gjë të mbetet kështu.

Si është gjendja e personelit?

Gorecka nuk do të jetë as këtë herë për arsye që i dimë. Stanisiç është gati edhe pse është stërvitur shumë pak. Nojer do të jetë, ndërsa Sane ka patur probleme në stërvitjen e fundit, të shohim se çfarë do të ndodhë.

Do të rikthehet Kimish në mesfushë?

Ai ka bërë një ndeshje të mirë në të djathtë. Nuk kam vendosur ende se çfarë ekipi do të hedh në fushë. Pres konfirmimin e disa prej lojtarëve mbrojtës, më pas do të vendos edhe për formacionin. Por jam i lumtur që ndryshe nga ndeshja e fundit, kam më shumë lojtarë në dispozicion.

Si është gjendja e Hernandezit?

Lukas mund të luajë në disa pozicione dhe kjo është diçka e mirë për një trajner. Sigurisht që ai preferon në krahun e majtë, aty ku mund të tentojë dhe disa inkursione në sulm.

Sa i rëndësishëm do të ishte një rinovim i Nojerit?

Nuk e di nëse diçka e tillë është duke u diskutuar tani. Për këtë duhet të pyesni Salihamixhiçin. Manueli ka ende një kontratë me ne, me sa di unë ai është shumë i lumtur që ndodhet këtu. Po kështu jemi dhe ne. Cilësitë e tij janë të padiskutueshme, ai është kapiteni ynë.

Sa peng ju ka ngelur Kupa?

Ishin ndeshje të çuditshme, sigurisht që humbja në Gladbah na ka mbetur ende në mendje. Ishte një mundësi e mirë për t’i shkuar deri në fund një trofeu që e vlerësojmë shumë.

Çfarë prisni nga Herta?

Janë një skuadër e rregullt në lojën e tyre, kanë lojtarë të mirë që dinë të luajnë mirë topin. Preferojnë lojën në tokë dhe kjo është e ngjashme me atë tonën. Do të jetë një duel i luftuar dhe i bukur njëkohësisht. Sigurisht që do të ishte më mirë nëse stadiumi olimpik do të ishte i mbushur plot, ashtu si në kohët e vjetra.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"