Nagelsman kërkon reagim pas humbjes në kampionat: Kemi shumë mungesa, por në Champions s’mund të relaksohesh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2021 | 12:35

Nagelsman kërkon reagim pas humbjes në kampionat: Kemi shumë mungesa, por në Champions s’mund të relaksohesh

Bajerni i Mynihut do të sfidojë momentin e vështirë që po kalon me COVID-in dhe kërkon të marrë qoftë një pikë për të siguruar vendin e parë në grup. Me një skuadër të gjymtuar për shkak të izolimit të disa prej titullarëve, skuadra gjermane do të kërkojë të largojë vëmendjen me një paraqitje dinjitoze. Trajneri i skuadrës, Julian Nagelsman, kërkon përqendrim maksimal dhe një fitore për të harruar humbjen ndaj Augsburgut në kampionat.

Julian Nagelsman

Çfarë mendoni për skuadrën e përgjysmuar?

Champions-i nuk është asnjëherë i parëndësishëm. Ka gjithmonë diçka për të fituar, duam që të vazhdojmë paraqitjet e mira të bëra në këtë fazë të grupeve dhe në dy ndeshjet e mbetura. Do të ishte mundësia më e mirë për të treguar një reagim pas humbjes në Augbsurg. Do ta vlerësojmë maksimalisht ndeshjen edhe pse udhëtojmë pa shumë titullarë për shkaqe që tashmë dihen.

Jeni i kënaqur me Marsel Zabicerin?

Ai kërkon kohën e tij për t’u përshtatur. Deri tani prisja të bënte diçka më shumë. E di çfarë aftësish ka dhe çfarë mund të bëjë, ajo që më nervozon më shumë tek ai është humbja e shumtë e topave. Edhe pse këtu, në këtë pikë, mund të them që kemi gabuar shumë si skuadër.

Sa ndikim ka pasur në lojë situata e krijuar me të karantinuarit?

Nuk duhet të bëjmë gabimin e rënies pre e gjërave që ndodhin jashtë fushës së lojës. Edhe pse kemi dy humbje më shumë se ç’duhet të kishim, mund të them që sezoni deri tani ka qenë i mirë.

Si është gjendja e skuadrës?

Zabicer dhe Koman kanë marrë një goditje, por nuk përjashtohet mundësia për të qenë në fushë. Pjesa tjetër është e plotë me përjashtim të lojtarëve që janë të izoluar.

Ju djeg ende humbja në Augsburg?

Kur lejon kundërshtarin të afrohet në atë lloj forme është e vështirë për të mos pësuar gol. Faj në këtë gjë nuk ka vetëm mbrojtja, por e gjithë skuadra. Çdo lojtar duhet të ndihet fajtor që në pësimin e dy golave nuk bëri më shumë për t’i parandaluar. Në fund ishte e pamundur për të depërtuar në portën e tyre dhe kështu që dolëm pa pikë nga ajo ndeshje. Ajo që vlen tani është të mësojmë nga ato gabime dhe të përmirësohemi për ndeshjet e ardhshme.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"