Nagelsman i fiksuar, Bajerni stërvit edhe… rivëniet anësore/ Trajneri i kampionëve të Gjermanisë “kopjon” Liverpulin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2021 | 10:52

Nagelsman i fiksuar, Bajerni stërvit edhe… rivëniet anësore/ Trajneri i kampionëve të Gjermanisë “kopjon” Liverpulin

A mundet që pas një fitoreje 7-0 në kampionat të gjesh diçka që nuk shkon te Bajerni i Mynihut? Për shumë njerëz është një pyetje shumë e vështirë pasi një skuadre të tillë vështirë se mund t’i gjesh diçka pas një fitoreje kaq të thellë. Por është dikush që mund të gjejë diçka, ai është trajneri Julian Nagelsman.

Nagelsman

Gazetari i “Sky”-it, Torben Hofman pyeti trajnerin gjerman pas fitores 7-0 nëse kishte diçka që i kishte mbetur në mendje, ai iu përgjigj direkt: “Po, në start vuajtëm pak. Kishte 4-5 momente në pak minuta ku nuk arritëm të shfrytëzonim rastin për ta goditur kundërshtarin. Gnabri ishte i vetëm, por ne nuk ditëm t’i dërgonim një top pas shpinës së mbrojtësve”, tha 33-vjeçari.

Nagelsman Cupo Moting

Çfarë ndodhi dy ditë më pas? Nagelsmani programon një seancë stërvitore e tëra e fokusuar te rivëniet anësore. Në një moment të tillë skuadra është me një lojtar më pak dhe për ta shfrytëzuar sa më mirë një rivënie anësore duhet ta dërgosh topin në vendin e duhur, nuk lejohet asnjë gabim. Stërvitja e së hënës ishte sa e çuditshme aq dhe e veçantë, teksa lojtarët nisën të krijonin situata të ndryshme nga rivëniet anësore.

SI LIVERPULI

Se sa të rëndësishme janë rivëniet anësore mjafton të ndjekësh një seancë stërvitore të skuadrës së Liverpulit. Në 2018, “The Reds” punësuan Tomas Grënemarkun, një trajner i specializuar për rivëniet anësore. Ky i fundit tregon të gjitha lëvizjet dhe mundësitë që një skuadër mund të përfitojë nga situata të tilla. Pra, edhe në një fitore të thellë si ajo e Bajernit ndaj Bohumit, gjithmonë ka diçka që duhet përmirësuar.

Julian Nagelsman

Trajneri Julian Nagelsman është një fanatik i taktikave dhe i teknologjisë në futboll, këtë e ka treguar dhe te skuadrat që ka drejtuar në të shkuarën, Hofenhaim dhe Lajpcig. Së fundmi, ai foli dhe për futbollin amerikan dhe rëndësinë që ky i fundit ka për futbollin e sotëm modern. Gjithmonë pa humbur esencën e lojës edhe pse koha na ka treguar se teknologjia dhe futbolli mund të jetojnë së bashku.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"