Naftëtari shpallet kampion dimri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 20, 2015 | 15:19

Naftëtari shpallet kampion dimri

Naftetari golNAFTËTARI

Në përfundim të fazës së parë, kuçovarët janë kurorëzuar si kampionë të dimrit në grupin e tyre. Sipas qendërmbrojtësit shtatlartë Florian Daci, sekreti i suksesit ngelet kolektiviteti i skuadrës. “Kemi bërë një paraqitje të shkëlqyer duke e merituar deri tani kryesimin. Pa dyshim është një kampionat i fortë, me skuadra që kanë traditë në futbollin shqiptar. Jemi përpjekur të minimizojmë gabimet. Kemi një skuadër kompakte, ku spikat kolektiviteti. Shpresojmë të rikthehemi sërish në Kategorinë e Parë”. Arben Çepani

SKRAPARI

Skrapari ka zhgënjyer totalisht gjatë fazës së parë, duke u konfirmuar si skuadra më e dobët e Grupit të Jugut. Bilanci i fazës së parë është negativ, ku janë regjistruar vetëm humbje. Skuadra është shfaqur e pafuqishme jo vetëm në ndeshjet jashtë, por edhe brenda. Në fakt, gjatë ndeshjeve të fundit, te Skrapari ka pasur një përmirësim dhe dëshirë, por gjithsesi nuk janë shmangur rezultatet negative. Për fat të mirë, matematika i mban ende plotësisht në lojë skraparllinjtë, ku distanca me rivalin më të afërt është vetëm tri pikë. Arben Çepani

VELEÇIKU

Ekipi i Veleçikut me barazimin që mori në javën e fundit zbriti dy shkallë më poshtë. Tani ekipi verior renditet pesë pikë larg vendit të parë. Veleçiku është duke vuajtur për një lojtar në repartin e avancuar. Vetëm në ndeshjen e fundit skuadra pati katër raste të pastra për të shënuar, por nuk u tregua e saktë në konkretizim. Gjatë ditëve të ardhshme, skuadra do të analizojë këtë fazë dhe do të përcaktojë objektivat e fazës së ardhshme. Mësohet se në fazën e dytë do të ketë disa afrime në skuadrën e Veleçikut. Esat Ymeri

DOMOSDOVA

Pavarësisht se faza e parë për prrenjsakët ka mbaruar, trajneri Karriqi nuk ka ndalur stërvitjen me grupin. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Karriqi tregon se ka në plan të vazhdojë stërvitjen me lojtarët deri më datë 28. “Mbyllëm një fazë të parë jo në pritshmëritë që kishim në fillim, por s’jemi pesimistë. Grupi që kemi formuar po rritet dhe kam garanci për vazhdimësinë. Do vazhdoj stërvitjen me grupin deri më datë 28 dhjetor, ndërsa në janar po përgatis disa afrime të rëndësishme”, tha Karriqi. Ledion Qoshku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"