Naftëtari e nis me tripletë, Gramozi reziston vetëm 24 minuta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 11, 2017 | 13:08

Naftëtari e nis me tripletë, Gramozi reziston vetëm 24 minuta

Naftëtari e fillon me fitore fazën e dytë duke mposhtur në stadiumin “Bashkim Sulejmani” Gramozin 3-1. Takimi i dy ekipeve që renditen në dy anët e kundërta të Grupit të Jugut përfundoi sipas parashikimeve, ku kuçovarët dominuan gjatë të gjithë ndeshjes. Naftëtari vazhdon të kryesojë duke u ngjitur në kuotën e 37 pikëve, shtatë më shumë se Orikumi që është i dyti.

naftetari

Ndeshja

Në realitet fillimi i ndeshjes ishte i ekuilibruar ku miqtë duken tepër të vendosur në fushën e lojës. Megjithatë, kolonjarët e kanë të vështirë të përballojnë presionin në rritje të kuçovarëve, të cilët kërkojnë me insistim golin e parë. Në minutën e 22-të vjen sinjali i parë i rrezikshëm në portën mike me anë të Mario Kames, i cili pas dy minutave do të shërbejë bukur për Shabën që përballë portierit mik shënon me qetësi golin e parë.

naftetari gramozi

Pas këtij momenti, vendësit janë më të lirshëm duke kontrolluar me qetësi. Kërkohet goli i sigurisë, por pjesa e parë përfundon 1-0. Gjithsesi, kuçovarët do të shënojnë golin e dytë në fillimin e pjesës së dytë, ku mesfushori Marini ndjek me vëmendje një aksion të gjatë sulmues të vendësve.

Pas avantazhit të dyfishtë, ritmi i lojës është më i qetë ku miqtë duken pothuajse të dorëzuar. Ndërkohë, 10 minuta përpara përfundimit shënon golin e tretë golashënuesi më i mirë Behari. Pas pësimit të golit të tretë, tekniku mik Qirjako kryen dy zëvendësime, të cilat i japin më shumë gjallëri lojës. Në fund, miqtë shënojnë golin e nderit me penallti.

ARBEN ÇEPANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"