“Na vodhën disa hajdutë të ndyrë në Maliq”, trajneri i Albpetrolit: I kam puthur futbollistët pas ndeshjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2019 | 19:12

“Na vodhën disa hajdutë të ndyrë në Maliq”, trajneri i Albpetrolit: I kam puthur futbollistët pas ndeshjes

Është bërë çështje tashmë ndeshja Maliqi-Albpetroli, që përfundoi 3-2. Nga klubi patosarak pati akuza të forta se ndeshja ishte paravendosur nga gjyqtarët. 

Miho

Më pas reagoi trajneri i Maliqit, Egli Malësija, i cili i konsideroi stisje pretendimet e Albpetrolit, ndërsa trajneri i këtij ekipi, Marjol Miho, në një intervistë për “Panorama Sport”, flet me shumë qetësi për ndeshjen e shumëpërfolur.

Miho, Albpetroli humbi një ndeshje të rëndësishme në Maliq. Cili është gjykimi juaj për atë ndeshje? 

Duhet ta korrigjoj pak pyetjen tuaj. Nuk humbi Albpetroli, por u vodh nga disa hajdutë. Djemtë i kam puthur pas ndeshjes, sepse kanë dhënë shpirtin në atë fushë balte dhe që u baltos më shumë nga këta hajdutë.

Për cilët hajdutë e keni fjalën konkretisht? 

Për arbitrat e ndeshjes, sepse ata janë aktorët e kësaj maskarade që na u servir në Maliq. Nuk e kuptoj dot si kanë kurajë që bëjnë të tilla shfaqje të shëmtuara. Nuk e kuptoj nga kush kanë frikë, sepse kur u thua: “Do të ankohemi te shefat tuaj”, ata të thonë: “Bëju të fala edhe nga ne”. Këta nuk janë arbitra, dua t’i them z.Sokol Jareci, i cili nuk denjon të hapë as telefonin, janë hajdutë të pështirë që ju baltosin juve dhe duhet të merrni urgjentisht masa.

Ka pasur një deklaratë nga klubi se vendimet dashakeqe të arbitrave dëmtojnë investimet e Albpetrolit. Arbitrat e Maliqit janë quajtur matrapazë… 

Nuk i heq asnjë presje asaj deklarate. Janë investimet e klubit që hidhen poshtë nga këta matrapazë dhe është djersa jonë që punojmë në baltë e shi, bëjmë kilometra të tëra për një ndeshje dhe pastaj na vjedhin këta hajdutë të ndyrë.

 Trajneri i Maliqit, Malësija, ka deklaruar se i vjen të qeshë kur lexon akuzat e Albpetrolit. Si ju duket kjo deklaratë? 

Asnjë germë nuk dua të harxhoj me këtë zotërinë që vetëm qesh. Kam një kërkesë për këto fenomene: nëse duan ta monitorojnë këtë kampionat dhe t’i kenë të dokumentuara këto matrapazllëqe, t’u vënë kusht ekipeve që t’i filmojnë ndeshjet. Kaq e thjeshtë është, të mos na thonë neve: “A keni ndonjë gjë të filmuar?” A e dinë këta hajdutë që me këto që bëjnë mund të shkarkojnë një trajner, mund t’u shkatërrojnë karrierën këtyre lojtarëve?

Miho

Së fundi profesor, ku e shihni ekipin tuaj në fund të kampionatit?

Kemi punuar fort dhe do të punojmë më fort për të arritur objektivin e klubit, ngjitjen në Kategorinë e Parë. Albpetroli është një klub i respektuar nga të gjithë, në Patos vijnë dhe luajnë futboll drejt. Jemi qytet dhe klub “Fair Play” në çdo aspekt, ky është fakt. Uroj të gjithë shqiptarët gëzuar festat!

Amarildo Gropa – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"