“Na u fik avioni, në Beograd rrezikuam jetën”, Bujar Shehu rrëfen tmerrin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2019 | 21:05

“Na u fik avioni, në Beograd rrezikuam jetën”, Bujar Shehu rrëfen tmerrin

UVIL ZAJMI

Duke iu rikthyer takimit të dytë luajtur në Jugosllavi, sot, pas një gjysmë shekulli, për “Panorama Sport” trajneri i njohur tregon disa prapaskena të asaj përballjeje. 

bUJAR sHEHU 2

Z. Shehu, ishit njëkohësisht lojtar dhe trajner…

Ky fakt i habiste kundërshtarët, si ata të Zadarit ashtu dhe të Jugoplastikës. Natyrisht që nuk ishte normale dhe për ta përbënte diçka të veçantë. Si në Zara dhe në Split, ai që figuronte si trajner në protokoll ka qenë Qemal Karaj, lojtar në ato vite. Për të evituar çdo situatë, merrja me kujdes pushimet. Janë ndeshje që i kam jetuar në parket si lojtar, njëkohësisht edhe në stol si trajner. Të paharruara mbeten… Ndërsa ndaj Zvezdës isha trajner, pasi sapo isha ndarë me “lojtarin”.

Një eksperiencë e fituar, apo keni pengje?

Sigurisht, në disa drejtime. Problem ishte stërvitja në kushte jo si të tyret. Ndërkaq, nuk kishim asnjë sponsor dhe asnjë të ardhur financiare për çdo rezultat që mund të arrije në turne ndërkombëtare. Edhe shtatlartësia ishte problem që të kushtëzonte dhe ndikonte në rezultate.

Në ndeshjen me Zvezdën, a mund të thuhet se kishit më shumë njohje për kundërshtarët?

Nga Zadari, pastaj Jugoplastika dhe në fund Zvezda, që e kishim parë një vit më parë kundër Partizanit. Natyrisht, diçka më shumë njihnim. Në Beograd shkuam me idenë dhe besimin për një rezultat modest. Një ditë para takimit bëmë një seancë stërvitjeje njohëse, ndërsa paraditen e ndeshjes mora leje dhe ndoqa një seancë kur ata po stërviteshin individualisht.

bUJAR SHEHU2

Cila ishte atmosfera para takimit? 

Duke i bërë analizën ndeshjes së parë dhe përballjet me basketbollin jugosllav, që ishte në kulmin e vet, si trajner i binda lojtarët për mënyrën e lojës. 17 Nëntori i asaj periudhe kishte harmoni, miqësi dhe shumë situata kaloheshin me humor midis sportistëve. Kujtoj se gjatë qëndrimit në Beograd na shoqëruan mjaft kosovarë dhe shqiptarë, që jetonin në Beograd e të ardhur nga trevat përreth.

Vijmë te ndeshja… Çfarë mbani mend nga ajo përballje?

Salla ishte plot. Zvezda nuk ishte ekip i lehtë, por i përgatitur e me koncept të basketbollit modern. Me gjuajtje të sakta, sulm të shpejtë dhe mbi të gjitha, shumë shtatlartë. Ata mbuluan mirë Kasmin, Kolekën dhe dominimi i tyre ishte i padiskutueshëm. Ne vuanim mungesën e lojtarit shtatlartë në mbrojtje e sulm dhe nuk funksionuan gjuajtjet nga distanca e sulmi i shpejtë.

Kam dijeni që pati ankth në kthim, pse? 

Kthimi ishte i lidhur me një ngjarje tronditëse, të frikshme për çfarë mund të kishte ndodhur. Udhëtimi do bëhej me një avion të vogël 20- vendesh të shoqërisë ajrore JAT. Ishte e vetmja që kryente fluturimin Beograd-Tiranë e anasjelltas. Kishim pak minuta që ishim ngritur në ajër, kur bllokohet njëri nga motorët. Për të na qetësuar, piloti informon për një defekt të vogël dhe për këtë arsye, avioni do të rikthehej në Beograd.

 Deri këtu gjithçka normale, apo jo?

Po, por gjatë kthimit, krejt papritur atij i bllokohet edhe motori tjetër. Çaste tmerri dhe frike. Të gjithë të zverdhur, ndërsa me ulje të butë, piloti e zbriti avionin. Në aeroport na informuan për çfarë kishte ndodhur dhe më pas erdhi me urgjencë edhe ambasadori ynë. Pastaj na sistemuan në hotel dhe Dhori Hanxhari, përgjegjës ekipi, kërkoi të kthehemi me tren deri në Titograd.

Në Tiranë u kthyet me të njëjtin avion?

Po, por jugosllavët refuzuan, duke garantuar kthim të sigurt dhe pa problem pas dy ditësh. Kulmi ishte se para nisjes njohëm se ishte po ai avion i pragkatastrofës dhe kundërshtuam të udhëtonim me të. Por rrugë tjetër nuk kishte. Pas një ore fluturim midis ankthit, frikës dhe pasigurisë, mbërritëm në Rinas dhe mori fund aventura, por shqetësimi dukej qartë në fytyrat tona.

Nga UVIL ZAJMI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"