“Na shlyeni”, Nevil Dede apel drejtuesve të Erzenit: Paguani ata që bënë krenar Shijakun, s’mund të na mbani peng

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2022 | 14:35

“Na shlyeni”, Nevil Dede apel drejtuesve të Erzenit: Paguani ata që bënë krenar Shijakun, s’mund të na mbani peng

Klubi i Erzenit, i rikthyer në Kategorinë Superiore pas gati dy dekadash, në vend që të kishte një organizim model për sezonin 2022-2023, po kalon ndoshta momentet më të vështira që prej themelimit të tij.

NEVIL DEDE

Problemet e shfaqura në fundin e sezonit, që konfirmuan krisjet mes Shoqatës së Klubit të Futbollit Erzeni, që ka nën administrim ekipin, dhe bashkisë që ka në pronësi stadiumin “Tofik Jashari”, nuk po arrijnë të marrin një zgjidhje të shpejtë.

Mirëpo, 25 lojtarë që mbyllën sezonin me shijakasit, duke e ngjitur ekipin në elitë, si dhe stafi teknik, rezultojnë se kanë disa muaj pa u paguar.

Flitet për gati 4 rroga të pamarra, por gjithsesi është vetë trajneri që udhëhoqi Erzenin, Nevil Dede, ai që ka bërë një apel publik të ndjerë, jo thjesht për situatën që po kalon klubi, por mbi të gjitha për sakrificat e bëra nga skuadra, që nuk janë shpërblyer ende nga ata që kanë administruar shijakasit në sezonin që lamë pas.

Dede ka folur hapur, madje duke theksuar edhe se është i gatshëm të ulet për të biseduar sërish me Erzenin, paçka se drejtuesit e Dinamos kanë arritur me të një akord.

DEKLARATA E TRAJNERIT

“Dua të bëj një apel për Erzenin e Shijakut. Në momentin që ne flasim, askush nga lojtarët apo stafi teknik që ka qenë, nuk ka lëvizur askund tjetër.

Pra, ka qenë një pritje e pafundme dhe me një durim të mahnitshëm nga të gjithë.

Kampionati i Kategorisë së Parë për sezonin 2021-2022 ka mbaruar më 7 maj dhe do t’ju lutesha shumë atyre burrave që bashkëpunojnë në Shijak me formën që ka si klub, bashki dhe shoqatë, që të paguajnë njerëzit që bënë krenar atë qytet. Nuk mundet t’i mbajnë peng njerëzit.

Duhet t’i paguajnë për djersën dhe mundin që kanë derdhur. Në fund fare, nëse duan, mund të ulem përsëri me ata dhe të diskutojmë për të ardhmen.

Mirëpo, ti nuk mund të ndërtosh diçka të re pa likuiduar djersën, mundin dhe sakrificat që ka bërë çdo pjesëtar i ekipit me rolin që ka pasur.

Ky është një apel për klubin, pasi ata që kontribuuan për Erzenin dhe e ngjitën në Superiore, mos t’i nënvlerësojnë, por t’i respektojnë për atë që kanë bërë për atë qytet”, ka thënë Dede, i ftuar në emisionin “Skaner” në “MCN TV”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"