“Na pret ndeshje e fortë, është pikënisje për ringritjen”/ Gvozdenoviç: Skënderbeu im duhet të fitojë kudo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 20, 2022 | 9:24

“Na pret ndeshje e fortë, është pikënisje për ringritjen”/ Gvozdenoviç: Skënderbeu im duhet të fitojë kudo

Skënderbeu është gati për ndeshjen e sotme ndaj Besës, e cila do të jetë e fundit për vitin 2022. Me dy fitore nën drejtimin e Ivan Gvozdenoviç, korçarët do të kërkojnë t’i bëjnë një mbyllje sa më të mirë vitit në takimin që nis sot në orën 13:00 në stadiumin e Peqinit, aty ku Besa është pritëse.

655

Në prag të ndeshjes, në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, serbi i pankinës së Skënderbeut flet me optimizëm. Ai kërkon maksimumin në këtë takim, për t’u afruar sa më shumë me vendet e para.

“Ekipin e shoh çdo ditë e më shumë në rritje. Po futet plotësisht në kërkesat e mia dhe mentalitetin fitues që dua të rikthej te Skënderbeu. Po rritemi çdo ditë dhe për këtë jam i kënaqur. Normalisht dy fitoret e marra në dy ndeshje të luajtura së bashku kanë bërë mjaft mirë për skuadrën, qoftë nga ngjitja e shkallëve në klasifikim, por edhe nga ana psikologjike. Tani i shoh më të qetë dhe më të harmonizuar lojtarët me njëri-tjetrin. Kemi edhe një ndeshje për të luajtur dhe duhet të bëjmë më të mirën e mundshme. Të fitojmë edhe takimin e fundit të vitit dhe do të ishte një mbyllje mjaft e mirë. Pas një viti jo të mirë, kjo do të shërbejë si një pikënisje e rëndësishme për ringritjen e ekipit, ashtu sikundër e meriton”, ka thënë fillimisht për gazetën trajneri bardhekuq.

RIVALI – I ndalur më specifikisht te ndeshja e sotme ndaj Besës, Gvozdenoviç foli për pritshmëritë e këtij takimi, vështirësinë që ka në raport me kundërshtarin, por mbi të gjitha kërkesën e fitores, si të vetmin rezultat që Skënderbeut i shkon përshtat.

“Ndaj Besës do të jetë mjaft e vështirë, sikundër është çdo takim në këtë kategori. Do të luajmë në transfertë dhe duhet të tregojmë se jemi gati të fitojmë në çdo fushë dhe përballë çdo kundërshtari. Nga ana tjetër, mund të them se Besa është një ekip cilësor dhe mjaft i fortë. Ndodhet vetëm një pikë larg nesh dhe kjo e bën takimin akoma më të rëndësishëm dhe delikat. Gjithsesi, unë kam besim te skuadra dhe mbi të gjitha dëshira e tyre për të ecur me rezultate pozitive në këtë rrugëtim. Jemi Skënderbeu dhe na takon të shkojmë kudo për maksimumin. Kjo është ajo që ua përsëris çdo ditë djemve, në mënyrë që të kuptojnë dhe të ndiejnë atë fanellë që mbajnë të veshur”, përfundoi Gvozdenoviç.

Që prej ardhjes së serbit në krye të pankinës, skuadra ka arritur dy fitore dhe është afruar me dy pikë nga vendi i dytë, që të ngjit në Superiore. Një triumf i mundshëm sot në Peqin do të ishte shumë i rëndësishëm.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"