“Na mungon një lojtar-goli”, zv.trajneri Çoçlli: Apolonia duhet të “piqet”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Shtator 22, 2020 | 18:48


“Na mungon një lojtar-goli”, zv.trajneri Çoçlli: Apolonia duhet të “piqet”

Nikolin Çoçlli mendon se Apolonia është gati për startin. Numri dy i pankinës së fierakëve evidenton se skuadra po pëson gjithnjë e më shumë rritje dhe pritshëmritë nga ky sezon janë të mëdha. Gjatë një interviste të dhënë për gazetën, krahu i djathtë i Xhovani Kolelës analizon me detaje fazën përgatitore dhe merkaton.

Coclli-Nikolin-trajneri-i-Partizanit

Dy muaj e gjysmë nga nisja e fazës përgatitore, cila është gjendja e Apolonisë?

Kemi një skuadër të re, por që ka të dhëna të mira fizike dhe taktike. Duhet ende punë, pasi jemi vetëm në treçerekun e asaj që presim. Megjithatë, them se situata do të kompletohet në çdo aspekt dhe ne do t’u marrim maksimumin lojtarëve tanë.

Sa të kënaqur jeni me paraqitjen e skuadrës suaj në miqësoret e fundit, kundër Tiranës dhe Vllaznisë?

Miqësoret nuk janë një tregues thelbësor, pasi skuadrat janë në ndërtim e sipër. Gjithsesi me Tiranën dhe Vllazninë kemi marrë sinjale pozitive. Lojtarët fituan me bardheblutë dhe reaguan mirë, duke zbatuar atë që u kërkoi trajneri. Në Shkodër pastaj barazuam, por kuptuam që duhet të jetë më e pjekur dhe konsoliduar për të zgjidhur situatat e lojës. Ndonëse bëmë një pjesë të parë të mirë, u fokusuam më tepër te presingu i lartë, për të luajtur si të barabartë. Gjë e cila nuk ndodhi në pjesën e dytë. Atë që donim ne, e aplikoi kundërshtari. Ekuilibrat u prishën dhe rendimenti ynë ra, sepse ne aktivizuam lojtarët alternativë.

Sipas jush, ku çedon Apolonia?

Së pari te qarkullimi i topit, gjë që trajneri e ka evidentuar dhe po punon për ta rregulluar dhe së dyti na mungon lojtari-gol. Këtu nuk mohoj meritat e Gjatës, por ai vjen pas një dëmtimi dhe është ende larg formës së duhur. Trajneri Kolela ka shumë besim tek ai, pasi mbetet pikë referimi e pjesës ofensive.

Ndoshta 5 sezone larg elitës kanë ndikimin e vet..

Absolutisht që po. Nuk është e lehtë që të përshtatesh kaq shpejt, por ka shpresë. Kemi vërtet të rinj në ekip, por plot ambicie. Ky do të jetë një vit sulmi, një vit vendimtar për Apoloninë, për të konsoliduar veten, për të hedhur themele të forta si klub elitar dhe për të krijuar baza të shëndosha për të ardhmen.

Veç afrikanëve, a duhen pritur të tjera goditje nga Apolonia në merkato?

Do të afrohen 4 lojtarë nga Gana dhe në momentin që ata vijnë, nuk ka kohë për t’u provuar. Pretendohet që ata të jenë cilësorë dhe si të tillë mendoj se sot të jenë një ndihmë e madhe për skuadrën. Ne kemi nevojë për lojtarë me nivel, që të bëjnë diferencën dhe të rrisin personalitetin dhe sigurinë e skuadrës sonë.

A do t’ju penalizojë mungesa e përvojës në organikë?

Unë jam me idenë “lojtar cilësor”, jo me idenë “lojtar i përvojës”. Pra, nëse ka cilësinë, sipas meje, pak rëndësi ka mosha e lojtarit, le të jetë i ri, skuadra do të ketë ngritje.

Gjer ku mund të shkojë në elitë kjo Apoloni?

Ne kemi një grup të mirë dhe gjithçka mund të arrijmë. Pa u bërë euforik, them se me këtë gjendje dhe me këtë ecuri që kemi, besoj se mund të renditemi në vendet 5-6 dhe kjo gjë do të ishte sukses për ne.

A ka një futbollist të tipit Nikolin Çoçlli sot Apolonia?

(Qesh). Tani më futët në mendime… Në përgjithësi, karakteristikat e mia kanë qenë më tepër në aspektin fizik; kam qenë i palodhur, agresiv dhe i shpejtë. Në aspektin agresiv mund të evidentoja deri diku Rimal Haxhiun, tek i cili shpresoj shumë.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com