“Na mungon eksperienca, duhet të jemi cinik për golat”, Mara: Skënderbeu të nxjerrë mësime nga ndeshja me Vllazninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2020 | 9:43

“Na mungon eksperienca, duhet të jemi cinik për golat”, Mara: Skënderbeu të nxjerrë mësime nga ndeshja me Vllazninë

Humbja me Vllazninë erdhi në një moment jo të favorshëm për Skënderbeun. Pas kualifikimit për në turin e dytë të Kupës si dhe nisjes së mbarë me një pikë në transfertën e vështirë të Durrësit, Skënderbeu nuk ruan dot vijimësinë. Humbja me Vllazninë djeg për disa arsye: së pari, për momentin e mirë psikologjik që ekipi po kalonte dhe, së dyti, për mungesën e reagimit në këtë takim pas golave të pësuar. I këtij mendimi është mesfushori korçar i Skënderbeut, Uerdi Mara. Për numrin 10 të ekipit ajo që nuk shkoi në këtë takim është moskonkretizimi i rasteve për shënim si dhe mosreagimi si duhet pas golit të pësuar.
MARA3
“Na vjen me të vërtetë keq për këtë humbje në javën e dytë të kampionatit, aq më tepër në shtëpinë tonë. E dinim që do të ishte një sfidë e vështirë dhe delikate, por ishim përgatitur mirë për ta përballuar. Një gjë e tillë u pa edhe në fillim të ndeshjes kur krijuam rastet tona për shënim, por nuk mundëm të finalizonim si duhet. Vllaznia me daljen e parë na shënoi gol dhe kjo më pas ndryshoi të gjithë lojën. Mungesa e eksperiencës pa dyshim që ishte një faktor i rëndësishëm në këtë sfidë edhe për vetë faktin se nuk arritëm dot të reagonim në kohë pas golit të pësuar. Gjithsesi, nuk besoj se bëmë një paraqitje të keqe, por mendoj se duhet të jemi më konkretë në finalizim”, theksoi mesfushori i Skënderbeut.

VAZHDIMËSIA
Në anën tjetër, Uerdi Mara pohon se duke filluar nga ndeshja e ardhshme në Kupë me Pogradecin, por edhe ajo në kampionat ndaj Bylisit, pas dy javësh, do të mundohen të reagojnë pozitivisht. “Është e domosdoshme të bëjmë menjëherë autokritikë duke filluar nga ndeshja e së enjtes. Jemi një ekip i ri dhe normalisht që këto probleme, nëse janë në vazhdimësi, na dëmtojnë. Për këtë arsye besoj se është tepër e rëndësishme të jemi kokulur dhe të punojmë. Trajneri na e tha menjëherë pas ndeshjes me Vllazninë, së pari duhet të nxjerrim mësimet nga ky takim i humbur dhe të fillojmë të mendojmë për ndeshjen e radhës”, përfundoi numri 10 i Skënderbeut.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"