“Na mungojnë 5 pikë në tri ndeshje. Fatkeqësisht, asnjë kundërshtar s’na ka dominuar”, Tafili: Po bëjmë shumë “dhurata”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2021 | 9:58

“Na mungojnë 5 pikë në tri ndeshje. Fatkeqësisht, asnjë kundërshtar s’na ka dominuar”, Tafili: Po bëjmë shumë “dhurata”

Besa nuk po bën dot dy fitore radhazi. Edhe pse fitoi me Maliqin, kundër Tërbunit doli “thatë”. Shpërdorimi i rasteve është kthyer në një sëmundje, që po i shoqëron javë pas jave. Pjesa e dytë në Pukë vërtet ishte një dyluftim mes sulmit verdhezi dhe mbrojtjes vendëse, por fundi ishte i thjeshtë: humbën. Alsid Tafili shpreh keqardhje për këtë ecuri, aq sa e thotë hapur se po kthehen në ekipin që i bën “dhurata” kujtdo. Ai e ndien më shumë se kushdo këtë gjë, pasi djersin në çdo ndeshje sikur të ishte 20-vjeçar dhe jo 34. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, thotë:

tafili

“Fatkeqësisht mbetemi ekipi që kemi bërë ‘dhurata’ më shumë se çdo ekip tjetër. Janë disa ndeshje e disa pikë ‘të dhuruara’ kundërshtarëve, duke nisur me Korabin, Shkumbinin e së fundi Tërbunin. Nëse do na dominonin dhe meritonin fitoret apo barazimet, unë do pranoja me sportivitet rezultatet.

Por ka ndodhur e kundërta. Kemi qenë ne ata që kemi diktuar lojën në të shumtën e minutave dhe siç e dini na mungojnë të paktën 5 pikë në këto 3 takime. Vërtet që kemi 15 pikë, por duhet të ishim ne pas Bylisit me lojën që kemi zhvilluar”.

STADIUMI – Kavajasit do të presin të dielën Tomorin, një ekip që meriton vërtet shumë respekt. Kështu mendon edhe shkodrani, që zbulon edhe “armikun” e vërtetë të Besës. “Javë pas jave për fat të keq nuk kemi reaguar ashtu si duhet dhe e meritojnë tifozët tanë. Këtë fundjavë do të presim një tjetër ekip mjaft të fortë, që në këto javë ka treguar vlera dhe ambicie. E kam thënë në intervista të mëparshme se çdo kundërshtar bëhet i fortë kur ti ia lejon këtë.

Ndaj Tomorit, duam apo nuk duam ne, jemi të detyruar të synojmë vetëm fitoren. Ajo që shpresoj e uroj është që fusha e Luzit të mos na penalizojë aq shumë. Dihet që loja e Besës bazohet kryesisht në aspektin teknik, pasi shumica e lojtarëve janë të tillë. Këtë lojë me pasime të shumta fusha e Luzit nuk na e lejon ta bëjmë ashtu si duam.

Pavarësisht të gjithave, e dimë se presidenti, stafi, tifozët, por më shumë se kushdo, ne futbollistët, kërkojmë fitoren. Shpresoj e uroj që këtë herë edhe fati të jetë një herë me ne, pasi në shumë përballje e kemi pasur kundër”, përfundoi Tafili.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"