“Na kthehet Danaj, do ta kalojmë edhe Tomorin”, Bruka: Fitojmë ne, do luftojmë për “play off”-in

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 16, 2022 | 11:51

“Na kthehet Danaj, do ta kalojmë edhe Tomorin”, Bruka: Fitojmë ne, do luftojmë për “play off”-in

Besëlidhja është gati për të pritur Tomor in. Me një seancë të zhvilluar dje pasdite, u kanë dhënë dorën e fundit përgatitjeve për javën e 27-të. Edhe pse janë 6 pikë larg zonës “play off”, lezhjanët nuk kanë në plan të dorëzohen. Këtë e thotë troç Alban Bruka, gjatë deklaratës së dhënë për “Panorama Sport”. Trajneri as që e mendon blofin në shtëpi përballë beratasve, ndërsa paralajmëron se do të luftojnë deri në sekondat e fundit për të qenë në lojë për… ngjitjen.

BRUKA BESELIDHJA

“Mbyllëm me sukses përgatitjet dhe jemi më shumë se gati për Tomorin, kundërshtarin që e presim nesër (sot) në stadiumin tonë.

Tashmë që kampionati është në metrat e fundit, normalisht që edhe temperaturat janë rritur.

Ka shumë javë që Besëlidhja njeh fitore jo vetëm në shtëpi, ndaj besoj fort se edhe me beratasit të marrim maksimumin e pikëve. Jemi ndryshe nga faza e parë dhe këtë mund ta pranojë kushdo.

Përtej asaj humbjeje në Pukë, Besëlidhja është ndër ekipet e para që ka grumbulluar më shumë pikë. Tomori është një ekip jo vetëm me vlera, por edhe kualitativ, ndaj kemi punuar fort për karikimin e ekipit nga të gjitha pikëpamjet.

Ndonëse në sfidën ndaj beratasve vijmë pas një humbjeje minimale, ekipi psikologjikisht është shumë mirë dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne. Grupin e kam në 100 për qind të formës dhe kjo është pozitive.

Na kthehet edhe golashënuesi Ruben Danaj, i cili mungoi në Pukë. Besëlidhja deri në çastet e fundit do të luftojë vetëm për fitore për ta mbyllur sezonin sa më lart në renditje, pse jo, edhe në ‘play off’”, përfundoi tekniku lezhjan.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"