“Na ka pushtuar fryma pozitive, do t’ia dalim”, me 7 mungesa në Peshkopi, Duro: Fiton Lushnja ime!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2022 | 10:49

“Na ka pushtuar fryma pozitive, do t’ia dalim”, me 7 mungesa në Peshkopi, Duro: Fiton Lushnja ime!

Lushnja udhëton “gjysmake” në Peshkopi. Nuk kanë pak, por 7 mungesa të konfirmuara. Alushi, Canka e Gjyla janë stërvitur dje veçmas, Ruço, Ziaj dhe Arapi u bënë ditë jashtë grupit, ndërsa Meta ka munguar për arsye shëndetësore.

klodian duro

Një situatë aspak premtuese para Korabit, e megjithatë Klodian Duro di si t’i japë moral grupit. Para transfertës së të dielës, trajneri shprehet plot me besim për “Panorama Sport”:

“Edhe në këtë ndeshje do të jemi me shumë mungesa. Ziaj, Arapi, Meta, Ruço, Canka dhe ndonjë tjetër nuk janë të gatshëm, por realisht jemi mësuar me këtë situatë.

Nuk është e para herë që na ndodh. Të gjitha janë të rëndësishme, por unë besoj se kushdo që do të luajë do t’ia dalë dhe do të japë maksimumin. Jemi me plot besim për të marrë maksimumin, pavarësisht mungesave të shumta”.

ATMOSFERA

Trajneri sheh që ekipi ka moralin e duhur për ta kaluar këtë pengesë dhe nis ngjitjen në renditje.

“Ne në çdo ndeshje hyjmë për rezultatin pozitiv. Kjo është filozofia jonë.

Kemi qenë ne gjithmonë në avantazh edhe në ndeshjet e tjera. Rëndësi ka që po stërvitemi shumë mirë. Fryma është e mirë në grup. Morëm një kualifikim në Kupë, edhe pse të mundimshëm.

Gjithsesi, ai ishte plotësisht i merituar, sepse kishim bërë edhe ndeshjen e parë shumë të mirë.

Të gjithë futbollistët që u aktivizuan janë stërvitur fort. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për ndeshjen e kthimit me Tërbunin. Ne jemi në rrugën e duhur dhe po punojmë për të mos u gjendur papritur në situata, që nuk do t’i pëlqenin askujt.

I gjithë grupi është i ‘pushtuar’ nga fryma për të bërë mirë.

Të mos harrojmë, jemi vetëm në fillim të kampionatit. Jemi një ekip i ri, i formuar rishtazi me futbollistë të rinj, që në kohë rekord kanë arritur të gjithë të gjejnë veten në ekip.

Sigurisht që duhet të kishim edhe ndonjë pikë më tepër, ndonjë pikë që na ka ikur rrugës si p.sh. ajo e të 96’-ës që na iku në Berat, apo dy pikët e humbura në shtëpi përballë Burrelit.

Po t’ia kishim dalë të arkivonim edhe këto, tani do të ishim në pjesën e sipërme të tabelës në vendin e dytë ose të tretë. Por rëndësi ka që ne nuk jemi shkëputur.

Ekipet janë aty-aty”, evidentoi tekniku i verdhejeshilëve.

KUNDËRSHTARI

Elbasanasi mendon se e ka informacionin e duhur për kundërshtarin, pasi tani nuk ka më të panjohura. “Edhe në këtë ndeshje shkojmë për të bërë lojën tonë.

Respektojmë ekipin e Korabit, ashtu si respektojmë të gjithë kundërshtarët në fakt. Por jemi Lushnja dhe udhëtojmë vetëm për të marrë pikë. Mendoj që të gjithë e njohin shumë mirë njëri-tjetrin në këtë kategori.

Rrugët janë të hapura dhe gjithkush mund t’i shikojë ndeshjet. Jo vetëm në stadium ‘live’, por edhe nëpërmjet TV. Sikurse na panë drejtuesit e Korabit në ndeshjen e Kupës, edhe unë kam parë një ndeshje më parë me Besën e Kavajës.

Rëndësi ka që ne do të bëjmë lojën tonë dhe do të japim maksimumin. Nëse në çdo moment jemi në maksimumin tonë, të gjitha ekipet do ta kenë shumë të vështirë përballë Lushnjës për të arritur objektivat e tyre”, përfundoi Duro.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"