“Na ikin lojtarët për 1 mln lekë”, shpërthen trajneri Gjyla: Lushnja nuk e ka mundësinë të …

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2019 | 21:21

“Na ikin lojtarët për 1 mln lekë”, shpërthen trajneri Gjyla: Lushnja nuk e ka mundësinë të …

Trajneri i Lushnjës, Ilir Gjyla, në një prononcim për “Panorama Sport”, ka prekur me radhë të gjitha temat, që nga ecuria e stërvitje e deri te merkatoja, ku ka pasur jo pak vështirësi.

gjyla

ECURIA – “Mund të them se kemi javë që i kemi filluar përgatitjet tamam për fazën. Megjithatë, edhe kjo përgatitje ka qenë e nevojshme. Tani fillojmë fazën e dytë të stërvitjes, atë që quhet faza e forcës. Pra, vazhdojmë në normalitet përgatitjet dhe për këtë jemi të kënaqur. Me futbollistët që kemi deri tani, ecuria është e mirë, sepse çfarë kemi dhënë tani, e kanë marrë 100%. Mendoj se kjo është diçka pozitive”, deklaroi fillimisht trajneri Gjyla.

GRUMBULLIMI – Pas 12 ditësh lushnjarët do t’i zhvendosin përgatitjet në kushte grumbullimi dhe për këtë trajneri Gjyla shprehet: “Kam pasur një takim me kryetarin e bordit, me z.Nushi, i cili më ka thënë se dy javët e grumbullimit që ne kemi kërkuar janë diçka e arritshme. Data 19 gusht duhet të jetë dita e parë e grumbullimit, që duhet të zhvendosemi nga këtu.

gjyla

Gjatë dy javëve të grumbullimit të skuadrës do të punohet me rezistencën, pra, do të jetë stërvitje e fortë fizike, e ndërthurur me ushtrime me topin. Na duhet patjetër të largohemi nga Lushnja, sepse nuk kemi terrene. Po të kishim një terren për stërvitje, ndoshta do ta bënim edhe këtu gjithë fazën, por në këtë situatë jemi të kushtëzuar 100% për ta bërë dyjavëshin në një vend tjetër”.

1 MILION LEKË – Për merkaton lushnjarët kanë pasur kontakte me disa futbollistë, por pa konkluduar. Trajneri Gjyla për këtë çështje thekson: “Do vazhdoj të them se kemi nevojë për lojtarë. Duhet të kuptohemi që ne jemi ekip në varësi të plotë të bashkisë dhe disa vendime i marrin Këshilli Bashkiak dhe bordi drejtues.

Ne jemi vetëm me rroga, sigurime shoqërore dhe premio për të gjitha ndeshjet. Nuk dua të përmend emra futbollistësh, kur nuk kam zgjidhur gjë! Për shembull, mund të përmend rastin e Broshkës, me të cilin folëm dhe arritëm akordin, por ai iku në Gjermani. Kuptohet që çdo njeri shikon interesin e vet. Kishim një futbollist tjetër në kontakte, një qendërmbrojtës, i cili na iku te Burrel. Pse na iku? Na iku për 1 milion lekë të vjetër.

Ilir-Gjyla-Peqin

Ekipet e tjera kanë ndonjë donator nga prapa dhe japin ndonjë gjë, kurse ne nuk kemi asnjë mundësi për ta bërë këtë gjë. Vërtet kam thënë se i kemi marrë rrogat dhe i kemi marrë 100%, kemi sigurimet shoqërore, premiot, dietat, kuotën (vështirësinë) financiare të ndeshjeve jashtë dhe po t’i mbledhësh të gjitha këto, ndoshta bëhen më shumë në fund të vitit.

Marrim 11 muaj rroga dhe shpërblime, nuk ka diferenca, por problemi është që futbollistët kërkojnë diçka në dorë, gjë që Lushnja nuk e bën dot, sepse vendimet e Këshillit Bashkiak dhe të bordit janë të tilla. Kjo është ajo që na bën që të mos flasim për emra, sepse nuk i arrijmë dot. Për çfarë duhet t’i themi emrat? Kjo është ajo që ndoshta i pengon futbollistët të vijnë këtu”.

DISNIVELI – Trajneri i Lushnjës shton më tej se skuadra është thuajse ajo e vitit të kaluar. “Vazhdoj ta them se ne i kemi 14-15 futbollistë, por duhen akoma të paktën edhe tre të tjerë. Lushnjës i duhen se s’bën, që të jetë një ekip kompetitiv.

Them përsëri edhe atë tjetrën, që kemi 14-15 futbollistë, por pjesën tjetër e kemi në disnivel shumë të madh me këta. Pothuajse është po ai grup që ishte vitin e kaluar. Nuk e kam thënë kurrë për t’u justifikuar, por kjo është e vërteta. Kjo është arsyeja që themi se na duhen të paktën tre futbollistë, nga një për çdo repart”, përfundoi trajneri i skuadrës lushnjare, Ilir Gjyla.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"