“Na erdhi ‘bomba’, prisnim kampionat me 18 ekipe”, Ilir Gjyla: Nuk vazhdohet me dy grupe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 12, 2020 | 22:15

“Na erdhi ‘bomba’, prisnim kampionat me 18 ekipe”, Ilir Gjyla: Nuk vazhdohet me dy grupe

Ilir Gjyla “shfryn” ndaj FSHF-së. Trajneri i Lush njës priste që sezoni 2020-2021 të kishte ndryshim skeme, e megjithatë është tronditur pasi ka mësuar se Kategoria e Parë do vazhdojë të jetë me dy grupe. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri e quan të paarsyeshme që të aplikohet e njëjta formulë.

gjyla

“Mendova se do të rregullohej, pasi nuk është e saktë që të luajmë me dy grupe për të shkuar te një grup. Kjo nuk tregon se cila skuadër ishte më e mira. Kastrioti, Besëlidhja nuk luajtën kurrë me Lushnjën dhe me skuadrat e tjera të grupit tonë. Ashtu si edhe ne nuk luajtëm asnjëherë me skuadrat e grupit tjetër.

Nëse ne dolëm të tretët në Grupin B, mund të dilnim të parët ose të shtatët në Grupin A. Nuk mundet që një ekip të hyjë në një ligë më lart si rezultat i asaj që nuk ka luajtur me skuadrat e grupit tjetër. Nuk është faktike dhe unë mendova se kjo u rregullua. Deri para një muaji, ne e kemi ditur se do të kishim një kampionat me 18 skuadra. Kur na vjen ‘bomba’, na thotë sekretari i klubit që nuk ka kampionat me 18 ekipe, por do të kemi dy grupe me nga 9 ekipe.

gjyla

Nëse ka kampionat që fillon me ekip tek, atëherë më thoni që bëhet në Kozmos ose në Mars. Unë mendoj se nuk ka në asnjë vend të botës. Një ekip në të dyja grupet do të rrijë bosh, cila është arsyeja kur aderojnë në një ligë? E para një ligë me dy grupe. E dyta, në momentin që një skuadër merr formën, e bën pushim sepse është me 9 ekipe. Nuk është e saktë. Personalisht, më duket jo e mirë që nuk u bë me 18 ekipe. Që të gjitha skuadrat të luajnë me njëratjetrën, ta provojnë forcën me njëra-tjetrën. Për të vërtetuar cilat janë dy më të mirat. Me ekip tek nuk kemi pse rrimë pushim. Sa të kapësh formën do të rrish pushim”, deklaroi fillimisht numri një i pankinës verdhejeshile.

SHORTI

Ilir Gjyla bën thirrje që të hidhet sa më shpejt edhe shorti, pasi atij dhe çdo trajneri do i duhet që të nisin nga puna. “Tjetra që kam unë. Duhet të na thuhet data e saktë e fillimit të kampionatit, le të hidhet dhe shorti. Unë nuk mund të nis stërvitjen pa ditur axhendën.

gjyla

Thuhet javën e dytë ose të tretë të shtatorit dhe në këtë logjikë duhet ta filloj punën më 19 shtator ose më 26 shtator. E megjithatë, mua më duhet të nis përgatitjet duke llogaritur datën 19, por mund të ndodhë që java e parë të na qëllojë pushim dhe kjo të prish planet. Ndaj, kemi nevojë për shortin dhe për datën që të ngremë punën.

Dy javë para kampionatit unë duhet të mbaroj fazën përgatitore. Por unë nuk e di e kam dy apo tri javë pragkampionatin, sepse nuk e di luaj javën e parë apo jo. Unë dua të ngre punën dhe puna ngrihet në bazë të datës së fillimit të kampionatit”, përfundoi trajneri i Lushnjës.

ALBAN ALUSHI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"