“Na eliminuan me hile”, ish-lojtari i Partizanit: Ndaj francezëve na u bë një padrejtësi e madhe
UVIL ZAJMI
Një emër si në legjenda, jo vetëm për klubin e tij, simbol absolut i atyre ngjyrave, por edhe për sportin kombëtar. Duke iu rikthyer atij kualifikimi historik, Murzaku kujton: “Ndaj austriakëve dominuam në dy takimet, por nuk luajtëm në turin e dytë nga një pabesi e CEV-it”.
Z. Murzaku, ai ishte një Partizan i madh për kohën, apo jo?
Jo vetëm Partizani, por edhe Kombëtarja, pjesën më të madhe të lojtarëve e kishte nga kjo skuadër, që dominonte në ato vite. Në disa takime ndërkombëtare, turne, ishim përfaqësuar mirë, me dinjitet.
Në Kupën e Kampioneve, drejt një vendi perëndimor… Ç’ndjesi ishte?
Ishte hera e parë që një ekip shqiptar do të shkonte në një shtet perëndimor. Na bënë një mbledhje të veçantë në Ministrinë e Jashtme, si të sillemi, një informacion të qartë për vendin ku do të shkonim dhe politika e tij në raport me ne. Sigurisht, kishim emocione dhe kurioziteti ishte i madh për të parë Vjenën.
Vijmë te ndeshja, a është e vërtetë që fituat lehtë?
Ajo u luajt paradite, në një sallë sportive. Nga çfarë na informuan, nuk ishte e tyre, por e kishin marrë me qira, ku edhe stërviteshin. Kishte pak spektatorë. Fillimi qe i frikshëm, pasi nuk e njihnim kundërshtarin. Kemi fituar 3-0 pa vështirësi, rezultat që na jepte shpresë për kualifikim.
Ishte kundërshtar i dobët apo ju luajtët shumë mirë?
Nuk e kishim menduar se do të përfundonte aq lehtë. Jemi befasuar, duke menduar fillimisht si një ekip perëndimor që mbështetej nga një kompani nafte. Por atje, na treguan se klubi gjendej para vështirësive të mëdha financiare.
Kualifikim pa problem edhe në revansh?
Ajo u zhvillua në fushën sportive “Studenti”. Ka qenë te Rruga e Elbasanit, në atë periudhë e vetmja në Tiranë, shumë e frekuentuar edhe për takime ndërkombëtare. Për fatin tonë, edhe pse janar, ndonëse ftohtë, ishte kohë e mirë. Parku nuk kishte ndriçim të mirë, me drita të zakonshme. Pastaj ndeshja nuk pati rivalitet, me marrjen e setit të parë, gjithçka përfundoi.
Në pritje për t’u ndeshur me Stad de France, çfarë ndodhi me atë kundërshtar?
Vazhdonim përgatitjet, luhej kampionati ku Partizani nuk kishte rivalë. Ndërkohë, takimi me francezët po shtyhej dhe më pas nuk u zhvillua. Kujtoj se për ndeshjen e parë erdhi arbitri që ishte jugosllav. Ne u rreshtuam në fushë, duke bërë formalisht paraqitjen. Ai vijoi me procedurën, duke mbyllur gjithçka. Ishim të sigurt se nga rregullorja kualifikoheshim për turin tjetër.
Pse nuk erdhën francezët, cili ishte motivi?
Fillimisht u caktuan edhe datat. Por, më pas, duke ditur vështirësitë se në Tiranë që nuk kishte një pallat sporti, luhej në një fushë sportive të hapur, pasi edhe palestra pranë universitetit nuk plotësonte kushtet, ata kërkuan ta bënin në Paris takimin e parë. Kush luante volejboll jashtë në atë kohë…?!
Dhe CEV, kualifikon në pabesi Stade?
Pati një debat të ashpër. Kërkesa zyrtare e tyre nuk u pranua nga federata jonë dhe për këtë arsye F/ Nd propozoi që takimi të zhvillohej në Bukuresht, vend asnjanës. Ne nuk shkuam atje, dhe për pasojë, na skualifikuan. Ka qenë një padrejtësi e madhe.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"