“Na duhen tri pikët të dielën”, Taipi: Kukësi, ndeshja e sezonit për Skënderbeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2021 | 21:01

“Na duhen tri pikët të dielën”, Taipi: Kukësi, ndeshja e sezonit për Skënderbeun

Kukësi është kundërshtari i radhës për Skënderbeun, por duket se mund të jetë një pikë vendimtare për kthesën e korçarëve që kërkojnë pambarimisht mbijetesën. Pas një fitoreje të rëndësishme në një ndeshje delikate dhe të drejtpërdrejtë për luftën mes më të mirëve, tashmë bardhekuqtë kërkojnë të bëjnë goditjen e madhe me qëllim arritjen e një vendi që mund t’i mbajë mes më të mirëve.

Taipi

Për Shqiprim Taipin, ky vend kalon nga Kukësi dhe për këtë arsye, sipas tij, ky takim mund të jetë përcaktues për të ardhmen. Për lojtarin nga Presheva të Skënderbeut, është një takim që nuk duhet nënvlerësuar pavarësisht se kundërshtari nuk po kalon një formë të mirë. “Vijmë nga një rezultat pozitiv dhe normalisht që këtë gjë duhet ta përdorim në favorin tonë për të marrë më të mirën edhe në një takim transferte kaq delikat sa ç’është ky në Kukës.

Për mendimin tim, kjo ndeshje është sa decizive, aq edhe përcaktuese për ne, pasi çdo takim që kalon bëhet po kaq i rëndësishëm. Kukësi është duke kaluar një moment të vështirë dhe ne këtë duhet të shfrytëzojmë, kjo jo duke e marrë lehtë ndeshjen, por duke dhënë maksimumin në këtë takim dhe duke pasur përqendrimin maksimal. Jemi të bindur se kemi të gjitha mundësitë të bëjmë mirë. Do të provojmë të dalim me tri pikët, pasi jemi të vendosur që ky ekip do të qëndrojë në elitë”, theksoi fillimisht Taipi.

shqiprim taipi

MBIJETESA – Më tej mesfushori i korçarëve nuk ka dashur të ndajë ndeshjet nga njëra-tjetra për të treguar se si mund të sigurojë mbijetesën Skënderbeu. Për Taipin, mbijetesa sigurohet nëse skuadra merr të paktën 21 pikë në ndeshjet e mbetura. Me këtë kuotë pikësh Taipi është i bindur se Skënderbeu ia del. “Na duhet të bëjmë sforco në 11 javët e mbetura. Duhet të llogarisim se janë edhe 11 javë dhe ka shumë pikë në lojë, prandaj asgjë nuk është e mbyllur. Ne do të mundohemi të marrim maksimumin, por do të ishte mëkat nëse bënim llogari që tani. Për mendimin tim, gjithçka varet nga ne. Nëse ne japim më të mirën dhe arrijmë të dalim më një numër pikësh më të lartë se 21 të grumbulluara atëherë gjithçka është realitet. E rëndësishme është që ndeshje pas ndeshjeje të japim maksimumin. Vetëm kështu ia dalim”, mbylli prononcimin e tij Taipi.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"