“Na dënuan si ekip mik në derbi dhe toleruan Skënderbeun”, Olsi Rama rrëfehet në “News 24”: Presim një sulmues, FSHF me dy standarde (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2021 | 14:11

“Na dënuan si ekip mik në derbi dhe toleruan Skënderbeun”, Olsi Rama rrëfehet në “News 24”: Presim një sulmues, FSHF me dy standarde (E PLOTË)

Olsi Rama ishte i ftuar ditën e djeshme në emisionin “Sport News” në televizionin “News 24” me gazetaren Enxhi Biba. Drejtori i përgjithshëm i Partizanit preku të gjitha çështjet e nxehta të javëve të fundit në kampin e kuq, që në fakt ka lundruar në ujëra plot dallgë në këtë nisje sezoni.

bandicam 2021-12-03 18-34-21-620

NISJA E DOBËT – “Nuk i shoh statistikat dhe nuk e dija që do të ishte starti më i keq i Partizanit që nga kthimi në elitë, megjithatë sigurisht që nuk isha i kënaqur me rezultatet dhe lojën e shprehur. Duke u nisur nga ajo që bëmë vjet, këtë sezon bashkë me stafin dhe trajnerin Daja, u përqendruam që të afronim elementë që të plotësonim grupin e lojtarëve, duke zëvendësuar edhe ata që kishin ikur në verë dhe kishim objektiv të merrnim edhe më të mirë se ata. Gjithsesi, duhet shumë kohë për të ndërtuar një skuadër, sesa ajo kohë që të jepet. Dihen vështirësitë”.

E ARDHMJA E DAJËS – “Bashkë me presidentin Demi ngulëm këmbë të vazhdonim me këtë projekt teknik duke besuar tek aftësitë e Dajës dhe duke besuar se ekipi do të arrinte të shprehej në mënyrën e duhur. Futbolli është i bukur sepse nuk është shkencë ekzakte dhe ti nuk merr ndonjëherë atë që meriton, por që në fund të fundit çfarë të mbjellësh, do të korrësh. Ne presim me kujdes, duke ujitur çdo bimë të mundshme që kemi në ekipin tonë që të japë lulet dhe frytet e veta. Besuam te trajneri Daja, nuk ka nevojë të flas për aftësitë e tij, gjithashtu edhe ai vetë ka një integritet moral të lavdërueshëm. I ka marrë edhe ai përgjegjësitë e veta dhe kemi bërë edhe diskutime të hapura me njëri-tjetrin për mënyrën se si ta kalojmë këtë periudhë”.

FTOHJE ME TRAJNERIN? – “Nuk mund të ndërhyj në çdo gjë, mua më intereson të vazhdoj punën. Më intereson të kem marrëdhënie të mira, jo vetëm me Dajën, por edhe me ndihmëstrajnerët dhe trajnerin e portierëve apo menaxherët e ekipit sepse po nuk u kuruan të gjitha, nuk merr dot rezultate. Nuk e fituam ndeshjen me Teutën në gjashtë minutat e fundit, ne luajtëm për ta fituar atë ndeshje gjatë gjithë kohës dhe në fund u shpërblyem dhe morëm atë që nuk e kishim marrë prej një viti. Kisha kohë që thosha: ‘Si nuk shënojmë dot një herë në fund’, shënuam dy dhe ishte një çlirim. Mundohem të jem i ftohtë, por ka momente që të rrëmben emocioni i garës dhe për mua ishte një shpërthim shumë i bukur”.

DURIMI ME DAJËN – “Ne e ndërtuam skuadrën edhe në bazë të vizionit të trajnerit, kështu që duhet t’i japim kohën të bëjë atë që ka bërë me ekipet e tjera dhe vjen me ekipin tonë. Vjet pati një avantazh që kampionati nisi në nëntor, këtë vit nisi më herët. Kaluan dhjetë javë, nuk jemi aty ku duhej. Kampionati shqiptar është i veçantë në sensin që luan katër herë me një ekip, kështu që nëse duhet të marrim ekipin e Tiranës, që është 9 pikë larg, po t’i fitojmë tri ndeshjet e mbetura me ta, aty jemi dhe Partizani e ka treguar se e bën këtë, nuk e ka problem këtë gjë”.

GABIMET – “Është ende herët për të thënë se ku u gabua. Me një planifikim më të mirë mund të kishim arritur të mbanim ndonjë nga lojtarët që u larguan, por e tillë ishte situata. Këtë vit kemi bërë kontrata afatgjata. Kemi bërë zëvendësimet që duhen në mbrojtje, kemi rritur pa dyshim nivelin e lojtarëve që kemi marrë duke marrë më të mirët e kampionatit. Kemi plotësuar repartin e mbrojtjes dhe mesfushës. Kemi një mangësi në sulm për hir të së vërtetës. Nuk arritëm dot të mbyllnim diçka, por më besoni që ka qenë i përbashkët vendimi që të mbetemi me sulmuesit aktualë sepse Zhuniori shikohet si numër 9 në fushë. Kishim shumë më shumë besim te Kardozo, nuk arriti të shprehte cilësitë e tij, por gjithashtu u dëmtua. Filipoviçi nuk po arrin të tregojë atë që ne prisnim në fazën e sulmit. Aty e ndiejmë që kemi një boshllëk dhe kemi nisur punën të identifikojmë se kush duhet të vijë në janar për të plotësuar këtë boshllëk. Vjet ishim sulmi më i mirë, këtë vit nuk jemi aty ku duhet. Po, nuk mendoj se është vetëm paaftësia e lojtarëve sulmues, por ka çaluar edhe manovra për ta çuar topin në zonën e kundërshtarit, është diçka ku ne po punojmë dhe besoj se do ta rregullojmë”.

MBROJTJA – “Është element i rëndësishëm sepse ekipet janë shumë taktike. Gjysmën e golave të pësuar i kemi bërë vetë dhe këtu ka çaluar mbrojtja për mendimin tim sepse janë bërë gola, që sigurisht ndodhin në kampionate të mëdha, por që nuk duhet të ndodhin në vazhdimësi. Kanë gabuar mbrojtësit, ka gabuar portieri. Janë gabime që mund të ndodhin dy apo tri herë në një kampionat të tërë, por jo katër a pesë herë brenda një faze. Në aspektin teknik kemi ende për të rregulluar”.

HERALD MARKU DHE KAÇE – “Kaçe erdhi nga një periudhë mosaktivizimi dhe nuk ishte mirë fizikisht dhe do kohë që të rikthehet në nivelet e dikurshme dhe kam besim se do të rikthehet dhe do të jetë një nga lojtarët kryesorë të kampionatit. Nga Marku pres të bëjë më tepër sepse e ka treguar se ka qenë shtyllë e Vllaznisë dhe ne e morëm si një nga mesfushorët më të mirë të kampionatit. Edhe ai mbase do kohë të përshtatet me rolin në fushë”.

TIFOZËT – “Marrëdhënia ime me ta është shumë e mirë. Gjithmonë kam thënë se janë më të mirët në sjelljen e tyre dhe mbështetjen që i bëjnë ekipit. Ditën e ndeshjes duhet ta kenë ditë feste dhe të vijnë në stadium, jo vetëm ‘Guerrilsat’ apo ‘Baza’, por të gjithë, edhe ata që janë sportdashës, por edhe nxënësit e shkollave dhe vajzat sepse vetëm kështu ka kuptim futbolli. Ata janë të parët që kërkojnë llogari dhe kanë të drejtë. Edhe ne u kërkojmë me përulje në njëfarë mënyrë që të kenë durim sepse ashtu siç besojmë ne te ringritja, duhet të besojnë edhe ata. Të vijnë të gjithë në stadium, që në ndeshjen me Skënderbeun, që është shumë e vështirë”.

GJYQTARËT – “Puna e tyre është shumë e vështirë dhe unë asnjëherë nuk do të doja të vishja këpucët e tyre, por ata janë aty të vënë drejtësi. Unë kam durim, por nganjëherë shoh episode, që kur skuadra është në vështirësi, duhet të ngre zërin që të jem mburoja e ekipit. Djemtë stërviten dhe punojnë shumë dhe nuk është bukur kur i vidhet diçka. Në derbi pata edhe një diskutim me gjyqtarin e VARit, Kridens Meta. Shkova edhe në dhomën e zhveshjes dhe e pashë vetë Sembenen si ishte dëmtuar, më tha vetë dhe unë kam marrëdhënie me lojtarët, që nuk më gënjejnë kurrë, ashtu si më tha Belica në momentin e penalltisë: ‘”E preka drejtor, nuk e di nëse ishte sa për penallti, por e preka’. I thashë edhe Kridens Metës se penalltia ishte, por edhe ai ishte karton i kuq. Në atë episod nuk e kuptoj pse duhet të shkohet deri te konsultimi me VAR-in sepse gjyqtari i linjës është vetëm 6 metra larg vendit ku ndodh incidenti, megjithatë këto janë diskutime të tjera. S’kam qejf të merrem me arbitrat sepse të merresh me ta, do të thotë të justifikosh ekipin për mosrealizimin e detyrave”.

DËNIMET E KOMISIONIT – “Jemi dënuar në derbi si ekip mik për ndërprerjen e ndeshjes për arsyen e flakadanëve që u hodhën me katër ndeshje pa tifozë dhe gjobë prej 200 mijë lekësh të reja. I njëjti episod ka ndodhur në ndeshjen e javës së nëntë mes Skënderbeut dhe Tiranës. Është ndërprerë ndeshja dhe Skënderbeu është dënuar me vetëm 50 mijë lekë të rinj gjobë për sjellje jokorrekte të tifozërisë. Këto janë dy standarde, që mua nuk më pëlqejnë sepse ndeshja jonë me Tiranën, ku ne ishim ekip mik, siç e thashë, dhe ajo në Korçë, vlejnë të dyja tri pikë. Nuk e kuptoj përse duhet të vendoset me dy standarde në një kampionat, me të njëjtin Komision Disipline. Kjo mua më vë në mëdyshje. Asnjë klub shqiptar nuk është i pasur. Nuk mund të gjykojmë ne për një shkelje nëse ka apo nuk lekë Skënderbeu apo Partizani ka para. Dënimi është i njëjtë. Këto janë gjëra ‘Made in Albania'”.

TITULLI – “Në vitin tim të dytë si drejtor sportiv ishim 10 pikë para rivalëve dhe thoshim gjithmonë se ndeshja e radhës është më e rëndësishmja sepse është kampionat i gjatë. Pas ndeshjes së parë ndaj Teutës, ku humbëm minimalisht me penallti, djemtë ishin shumë të mërzitur dhe u thashë se nuk është sprint, por maratonë. U thashë se nuk kam ç’i kërkoj sepse e thanë shpirtin në fushë dhe po vazhduan kështu do të vijnë rezultatet. Gjithmonë është objektivi i ndeshjes së radhës. Do shohim, kemi dhjetorin plot me ndeshje, më pas do dalim në përfundime dhe në merkato do të bëjmë riparimet që duam”.

BITRI DHE MERKATO – “E kemi për detyrë të jemi të vëmendshëm dhe shohim për çdo mundësi që na del. Unë e takova Bitrin sepse është një djalë shumë i mirë dhe unë e kam marrë këtu dhe e kam rritur në këtë pjesë të karrierës së vet. I uroj shumë të vazhdojë atje ku është sepse ka bërë mirë, por ai është gjithmonë i Partizanit dhe në momentin e parë që ka një mundësi nga të gjithë djemtë që kanë ikur, e kanë shumë të lehtë të më dërgojnë një mesazh. Do të kërkojmë një sulmues për të pasur më tepër zgjidhje për skema dhe rreshtime të ndryshme. Do të shohim edhe ndonjë mundësi të mirë në mesfushë”.

TIRANA DHE DINAMO – “Tirana është 9 pikë para, Dinamo vetëm një, nuk janë distanca të pakalueshme, megjithëse do të donim të ishim ne ata që duhet të arriheshim. Tirana ka një kontingjent të mirë lojtarësh, ka gjetur një harmoni të mirë. I ka tejkaluar pritshmëritë e mia për kampionatin që ata mund të bënin, të them të drejtën. Është shprehur mirë në momente të caktuara, por ka edhe mangësi kur e sheh me vëmendje në ndeshje të tjera. Kam luajtur basketboll me Dinamon, por nuk e quaj veten dinamovit. Jam gëzuar që u rikthyen në elitë sepse janë emër i madh i futbollit, aq më tepër që është mundësia të luash edhe katër derbe të tjera. Kanë afruar lojtarë të mirë, por është një proces, futbolli nuk është diçka që ti e ndërton në moment. Ata kanë një ekip tërësisht të ri. Kanë afruar lojtarë cilësorë. Ndoshta kanë pasur më shumë pritshmëri, por po bëjnë një kampionat që do t’u shërbejë për vazhdimësinë në Superiore”.

PANORAMASPORT.AL

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"