“Na dëmtoi formula e dështuar”, Canaj skanon sezonin: Qëndroj me disa… kushte

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2021 | 16:35

“Na dëmtoi formula e dështuar”, Canaj skanon sezonin: Qëndroj me disa… kushte

Korabi luftoi deri në frymën e fundit, por nuk ia doli. Edhe një tjetër sezon dibranët janë të detyruar që të luajnë në Kategorinë e Parë. Vetëm një pikë larg Burrelit mbetën në mbyllje të krejt kampionatit, megjithatë Agim Canaj krenohet me atë çka bëri skuadra në gjithë këtë rrugëtim.

Agim Canaj

Gjatë një deklarate të dhënë direkt pas ndeshjes me Vorën, për “Panorama Sport” ai skanoi sezonin dhe zbuloi se cilat ishin shkaqet që e nxorën nga pretendimet. “Formula ishte e gjitha një dështim. Shpresoj shumë që sezonin tjetër të kthehet me dy faza, pasi vetëm kështu mund të bëhet më e bukur gara dhe në fund të shpallet fitues ai që e meriton. Ne na penalizoi ndjeshëm kjo skemë. Megjithatë, jam mjaft i kënaqur me atë çka bënë djemtë.

E dija se nuk do të ishte e lehtë, pasi në janar e mora ekipin në momente të vështira. Ishin larguar 5 futbollistë, por situatën e përmbysëm për mirë. Shtuam besimin në grup, pavarësisht se alternativat i kishim të pakta në skuadër. Arritëm që t’i mposhtnim të gjitha ekipet e forta të grupit, por në fund të fundit i forti në kampionatin shqiptar nuk është vetëm në fushë, por qëndron edhe në tribunë”.

RINOVIMI DHE PROJEKTI

Foli edhe për të ardhmen e tij. Është gati që të zgjasë marrëveshjen pas muajin qershor, por i ka disa kushte. “Në fund të qershorit më përfundon kontrata. Rinovimi është një opsion, por fillimisht më duhet të flas. Duhet të diskutoj për projektin që do të ketë klubi.

Kalova vërtet shumë mirë këtu dhe kam fituar respektin e shumë njerëzve, ndaj edhe mund të qëndroj nëse më bind projekti që do të më paraqitet. Jam në një moment që nuk më mungon eksperienca dhe jam i bindur se nuk mund t’i futesh detit me këmbë. Korabi duhet të ketë një plan konkret për të arritur Superioren. Pra, duhet të kesh një stadium, një fushë ku të stërvitesh e shumë elemente të tjera, prandaj thashë që duhet plan konkret. Unë kam qenë te Vllaznia në Kategorinë e Parë dhe arritëm ta ngjitnim. Tani që mora Korabin, mendoj se në këtë periudhë e pashë të vërtetën me sy”, theksoi vlonjati i stolit dibran.

PLANI PËR STËRVITJEN

Kampionati mbaroi, por stërvitja te Korabi do të vazhdojë. Është vetë tekniku që qartëson se deri në fund të muajit, lojtarët do të përgatiten rregullisht. “Korabi do të vijojë stërvitjet deri në fund të majit, pasi shumë lojtarë janë me kontrata, madje ka edhe me kontrata më të gjata. Më pas fillojnë pushimet e në vijim pastaj do të kalojë në projektet e vitit të ardhshëm”, përfundoi Canaj.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"